Pavarësisht situatës delikate ekonomike dhe mungesës së një presidenti, Barça vazhdon të punojë për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Eric Garcia dhe Memphis Depay duket se janë dy futbollistët më të vendosur për të arritur në Camp Nou gjatë verës, por në Angli raportojnë se Barcelona po ndjek gjurmët e një prej yjeve të mëdhenj të Premier League.
Flasim për Marcus Rashford, sulmuesin e Manchester United, i cili sipas ‘Daily Mirror’ është në listën e synimeve të Barcelonës, edhe pse afrimi i tij nuk është aspak i lehtë, duke pasur parasysh vullnetin e ‘djajve të kuq’ për të mbajtur lojtarin dhe mungesën e likuiditetit të klubit katalanas.
Rashford, 23 vjeç, është duke përfunduar një sezon të shkëlqyer me Manchester United dhe shton 16 gola dhe 9 asistime, numra që përveç Barçës kanë tërhequr vëmendjen e Juventusit, gjithmonë i vëmendshëm ndaj të tillë lojtarëve.
Duket shumë e komplikuar që Barça mund të nënshkruajë Marcus Rashford në verë, pasi futbollisti ka kontratë deri në vitin 2023 dhe është i lumtur në Manchester. Opsioni i vetëm i vlefshëm do të ishte që katalanasit të ofrojnë disa lojtarë në shkëmbim për të arritur nënshkrimin e yllit të kombëtares së Anglisë. /abcnews.al