Nuk mund të kishte mbyllje më të mirë.
Ernest Muçi e mbylli me triumf sezonin në Turqi, duke fituar Kupën e këtij vendi.
Në një finale të fortë e të ashpër, ylli kuqezi ia doli në duelin ndaj shqiptarit të Maqedonisë, Enis Bardhi, pasi Trabzonspori mundi 2-1 Konjasporin në Antalia.
Kjo ishte kupa e tretë e tij në karrierë, pasi fitoi më herët në Poloni me Legian dhe në Turqi me Beshiktashin.
Në ndeshjen fundore, Muçi nuk shënoi apo asistoi në prani të mbi 23 500 spektatorëve, por gjithsesi, ishte titullar dhe njëri nga më të mirët.
Pol Onuaçu kaloi Trabzonin në epërsi në 18, por finalja do të kthehej në dramë.
Konjaspori barazoi me të nisur pjesa e dytë kur shënoi Muleka, dhe madje pati mundësi të ishte në avantazh.
Fitoi 11 metërsh të cilin e mori përsipër pikërisht Enis Bardhi, por goditi shtyllën në 58’.
Nuk gaboi në krahun tjetër, Onuaçu po me penallti, duke shënuar golin e fitores në 79’.
Muçi u zëvendësua në minutën e fundit, në një veprim taktik të trajnerit Fatih Teke për të fituar kohë, dhe ndeshja përfundoi 2-1.
Festa ishte e madhe, dhe I vetmi zhgënjim mund të quhet që nuk u arrit vendi I dytë në Superligë, që do të thoshte kualifikim në Champions.
Shqiptari shënoi 4 gola e shërbeu 5 asistë këtë edicion të Kupës, përfshi edhe rrjetën e kualifikimit realizuar në gjysmëfinale.


