“Muaji korrik i 2024 me numrin më të madh të udhëtarëve”, Ozuni: Këtë vit më shumë turistë nga Spanja dhe Portugalia

schedule13:44 - 13 Gusht, 2024

schedule 13:44 - 13 Gusht, 2024

Eksperti i turizmit, Feriol Ozuni ka deklaruar në “Tirana Live” se muaji korrik i 2024, ka pasur numrin më të madh të udhëtarëve në aeroportin e Rinasit.

Ai ka theksuar se këtë vit kemi një larmishmëri shumë më të madhe origjinash.

Sipas ekspertit, mund të duket befasuese, por numri më i lartë i turistëve që kanë ardhur sivjet në vendin tonë janë nga Spanja dhe Portugalia, pasi pavarësisht plazhit, ata kanë dëshirë të eksplorojnë malet dhe qytetet.

“Sipas statistikave të dala, muaji korrik i 2024, ka pasur numrin më të madh të udhëtarëve në aeroportin e Rinasit ndonjëherë dhe kjo është një gjë pozitive, sepse sado që të mos jenë turistë ata persona, vetëm fakti që ka një numër të konsiderueshëm udhëtarësh, sjell një lëvizje ekonomike, disa para këtu te ne. shpeshherë diskutohet që pjesa më e madhe e këtyre udhëtarëve vijnë nga Kosova, apo Mali i Zi apo përdorin aeroportin e Rinasit për qëllime tranzitore. Këta qytetarë deri dje përdornin aeroporte të tjera, sot përdorin Rinasin dhe absolutisht vetëm nga kjo lëvizje ka një benefit financiar për Shqipërinë.

Sivjet kemi ndoshta një larmishmëri shumë më të madhe origjinash. Ajo që bie më shumë në sy sivjet është që kemi një numër më të madh turistësh nga vende që ne nuk i prisnim. Kemi nga Spanja dhe nga Portugalia, të cilat janë vende që e kanë turizmin një gjë normale dhe kur i shohim në Shqipëri na bën përshtypje. Duhet të kuptojmë diçka, që të huajt nuk vijnë në Shqipëri se ne kemi plazh, por për ta eksploruar, mes këtij eksplorimi është dhe plazhi, i shikojmë nëpër male, qytete”, tha Ozuni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!