Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mrekulli pas tërmetit në Venezuelë/ Nëna shpëton me foshnjën 18-ditëshe: Ai më dha forcën të mbijetoja

schedule12:06 - 29 Qershor, 2026

schedule 12:06 - 29 Qershor, 2026

Një histori prekëse mbijetese po bën xhiron e botës pas tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën. Dayana Patino, e cila u nxor e gjallë nga rrënojat së bashku me foshnjën e saj vetëm 18-ditëshe, ka rrëfyer momentet dramatike që kaloi nën beton, duke thënë se djali i saj i dha forcën të luftonte për jetën.

“Sa kohë që ai ishte gjallë, edhe unë do të isha gjallë. Herë pas here i prekja hundën për t’u siguruar se ende po merrte frymë”, tha ajo në një intervistë për BBC.

Pamjet e shpëtimit të nënës dhe foshnjës janë shpërndarë në mbarë botën, ndërsa vogëlushi Juan David është kthyer në simbol shprese mes tragjedisë që ka goditur Venezuelën. Dy tërmetet e fuqishme që tronditën vendin të mërkurën kanë shkaktuar të paktën 1.450 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.



Në një klinikë në Karakas, Dayana tregoi se gjithçka ndodhi në pak sekonda. Ajo po lante enët në apartamentin e saj në katin e tetë në rajonin bregdetar të La Guaira, kur goditi tërmeti.

“Vrapova menjëherë për të marrë djalin në krahë, sepse mendova se ishte vetëm një lëkundje e lehtë. Më pas ndjeva sikur po fluturoja dhe përfundova e bllokuar nën rrënoja”, rrëfeu ajo.

Me këmbën e majtë të zënë poshtë betonit dhe pa mundësi lëvizjeje, Dayana vendosi të kursente energjitë, duke bërtitur vetëm kur dëgjonte zëra pranë saj.

Ajo tha se shpresa iu rikthye kur ndjeu një Bibël pranë vetes dhe dalloi një rreze të vogël drite mes errësirës.

Shpëtimi erdhi pasi dëgjoi vëllain e saj duke thirrur emrin. “Kjo është mundësia ime e vetme”, mendoi ajo dhe bërtiti me gjithë fuqinë: “Jam këtu!”. Vëllai iu përgjigj: “Të gjeta dhe nuk do të largohem derisa të të nxjerr prej andej.”

Pas një operacioni të kujdesshëm, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin të gjallë nënën dhe foshnjën të enjten në mbrëmje.

Dayana pësoi lëndime në të dyja këmbët, ndërsa foshnja shpëtoi me dëmtime të lehta.

Edhe bashkëshorti i saj, Gerson, përjetoi momente ankthi. Ai sapo kishte parkuar makinën kur ndodhi tërmeti dhe arriti të shpëtonte duke kapërcyer një gardh. Kur pa pallatin e shkatërruar, mendoi se gruaja dhe djali i tij kishin humbur jetën.

“Ishte një mrekulli. Kur pashë djalin tim, ndjeva sikur linda përsëri. Jeta m’u kthye”, tha ai.

Megjithëse familja ka humbur shtëpinë dhe pothuajse të gjitha sendet, ndërsa qeni i tyre vazhdon të jetë i zhdukur, ata thonë se nuk do të dorëzohen.

“Humbëm pothuajse gjithçka, por do ta nisim nga e para. Do të rindërtojmë gjithçka që kemi humbur”, u shpreh Gerson.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!