“Mou ka mbaruar”, Di Canio reagon pas audio-mesazhit: Flas si të dua, Roma luks për të

schedule11:36 - 6 Maj, 2021

schedule 11:36 - 6 Maj, 2021

“Keni marrë më të keqin e të këqijve”, këto janë fjalët e një idhulli të tifozëve të Lazios, që ka komentuar lëvizjen e Romës për t’i besuar stolin të mirënjohurit Jose Mourinho. Paolo Di Canio, një nga ata që ka guxuar të festojë poshtë tribunës së ultrasve të Romës pas ka shënuar në derbin e kryeqytetit të Italisë, mendon se Mou nuk është më Special One.

Pasi i kanë publikuar mesazhin e shkëmbyer me një mikun e tij tifoz të Romës, me të cilin ngacmohet, Di Canio nuk tërhiqet nga ato që ka thënë. Sigurisht nuk përdor të njëjtën gjuhë, si me shokun tij. “Së pari nuk kam pse t’i kërkoj falje askujt. Unë flas në biseda private si të dua. Askush nuk mund të indinjohet.

E dyta, ajo audio që po qarkullon kudo është pjesë e 6-7 mesazheve të tjera, ku unë them gjëra të tjera shumë pozitive për Mourinhon dhe që nuk bien në kundërshtim me ato që dëgjoni në atë audio. Nuk i publikoj, pasi janë private. Vetëm atë pjesë kanë nxjerrë tani. E gjitha është një histori qesharake dhe patetike. Unë e kuptoj se si funksionon bota, por nuk më intereson kjo formë e komunikimit.

 

Paolo Di Canio

Biseduam për argëtim, për të bërë shaka me një mik të vjetër. Unë nuk jam tifoz i Romës, natyrisht, jam i lirë. Më pëlqen futbolli, akoma e dua marrëzisht. E lavdërova golin e Dzeko në Evropë. Ishte një bisedë me një tifoz të Romës, të cilin unë e konsideroj mik. Këto gjëra unë i kam thënë edhe në TV prej tre vitesh, ndërsa në bisedë kam përdorur një gjuhë tjetër”, shprehet Di Canio në intervistën e dhënë për Corriere dello Sport.

Italiani më tej shton: “Në mesazhet e mia ka fjalë edhe për Sarrin, për futbollin e bukur. Unë them që Mourinho e ka humbur atë tërheqjen, duket sikur nuk ka më forcë, energji për të qëndruar në nivel të lartë 24 orë në ditë. Shakaja ime ka të bëjë me atë që nuk e fiton titullin kampion. Ndoshta edhe e bën, nuk e di.

Me këtë Romë mund të arrini me sy mbyllur në 6 të parat, ndoshta ai e ngre edhe dy pozicione dhe të luajë për Kupën e Italisë. Kam thënë i gjori, jo për ta nënçmuar. Po çfarë i gjori mund të jetë, ai ka një statut dhe fiton miliona e miliona! Kur garonte me Guardiolën, gjithmonë thosha se është numri një. Jo për lojën, por për mënyrën se si bënte skuadër, për intensitetin e punës dhe për harmoninë në dhomat e zhveshjes”.

 

Nuk është më Special One? Mendoj se nuk e ka më energjinë dhe durimin për të krijuar ambientin e stilit Mourinho. Nga Chelsea u largua për të shkak të shumë situatave, rezultateve dhe marrëdhënieve me ekipin. Tek United kishte probleme me Pogba, janë gjëra publike, madje edhe me Mkhtirian. Nga Tottenham u largua se përfundoi i shtati dhe për çështje raportesh.

Pasi humbi me Liverpool, atëherë garonte për vendin e parë, ai nisi të debatonte me lojtarët dhe gjithçka u shemb. E kam thënë në Sky për dy vite që Mourinho ka konsumuar energji. Ashtu sikurse edhe lojtarët e shkëlqyeshëm, edhe trajnerët e shkëlqyeshëm mund të kenë një fazë rënieje. Vite më parë do të kisha thënë se Mourinho është një luks për Romën, tani them se Roma është një luks për Mourinhon”, shprehet Di Canio.

AUDIOMESAZHI – Paolo Di Canio, në mesazhin që i ka dërguar mikut të tij tifoz të Romës, dëgjohet të thotë: “Keni marrë më të keqin e të këqijve. E kuptoj që ju duhet një emër i madh në këtë moment, por është sikur të nënshkruani me një lojtar që ka mbaruar.

 

Mourinho thjesht donte një punë me para, ai kishte marrë shkarkimin e tretë në katër vite, i dëbuar nga çdo klub për shkak të karakterit të tij dhe para kësaj gjithçka e mirë ishte se ai kishte karakter. Tottenham i dha mundësinë për ta çuar ekipin në një tjetër nivel, më gjithë paratë që shpenzuan.

Duke parë ambientin e Romës, ai është OK, ju ndoshta prisni kushedi se çfarë, por unë ju them se ai është më i keqi i të këqijve. Ai ka mbaruar në çdo mënyrë të mundshme. Ai nuk luan as futboll, ai luan anti-futboll.

Ju mund të kënaqeni në disa konferenca shtypi, sepse polemikat krijojnë teatër të mirë, por më lejoni t’ju them se për të rindërtuar një ekip ai është më i keqi që mund të merrni. Dhe mund të them edhe këtë, që ishte i preferuari im deri shtatë vite më parë, madje e preferoja edhe më shumë se Pep Guardiola”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!