Në Elbasan banorët e cilësojnë këte nëntori nga më të nxehtët prej shumë kohësh dhe ju duket jo normale. Por nga ana tjetër aty po kultivohen fruta ekzotike.
E mbolli për zbukurim por po i merr frutat. Mësuesi Leonard Idrizi vendosi një fidan bananeje në kopshtin e tij. Ishte inspiruar edhe nga legjenda. Kishte dëgjuar që gjethet e kësaj peme u përdorën nga Eva dhe Adami. Por kurrë nuk e besonte që ajo do të lulëzonte në fruta.
Qytetari: “Këtë banane e kam mbjellë për gjethen e saj që është e bukur, pashë një ditë që kishte lëshuar fruta dshe kishte krijuar boçe”.
Jo vetëm stinët, por as ndarjet sipas zonave klimaterike të globit nuk po kanë më rëndësi. Fenomene të tilla si ndotja e mjedisit, ngrohja globale apo shtresat e ozonit po ndryshojnë gjithçka. Qytetarët janë të habitur. Një nëntor si ky nuk e mbajnë mend kurrë më parë.
Banor: “Nuk është normale për periudhën që jemi, nuk di nga vjen, nga ngrohja globale”.
Banor: “Për ne është jonormale. E kemi nga pleqtë që po nuk ka dimër, borë nuk ka mbarësi as në bujqësi, as në blegtori, as në jetën e njerëzve”.
Banore: “Nuk mendoj që janë normale, por më pëlqen koha me diell”.
Në Elbasan dhe në fshatra përreth po mbillen dhe eksperimentohen çdo ditë pemë ekzotike; kivi, fikusi, hurma arabie, banane e deri tek ananas. Por edhe pse mësues Idrizi po vjel frutet e bananes, nuk i vjen mirë për ndryshimet e klimës.
Mësues: “Çudi por është edhe këmbanë për ndryshimin e klimës që nuk është aq mirë për ne”.
Ky me siguri është nëntori më i ngrohtë. Vjeshtë si stine vere. Klimë tropikale për një kohë të gjatë. E natyrisht natyra bën të vetën, kurse elbasanasit po u gëzohen frutave ekzotikë./abcnews.al
Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu