Moti i keq që ka përfshirë vendin gjatë kësaj jave ka sjellë reshje të dendura shiu dhe bore, duke krijuar një gjendje atmosferike të rënduar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Në një intervistë për podkastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama njoftoi se një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë, duke shkaktuar reshjet e fundit.
Ai theksoi se fenomenet ekstreme klimatike, si thatësirat, zjarret apo përmbytjet, janë më të shpeshta se më parë, por falë investimeve prej rreth çerek miliard euro, qeveria është e gatshme për çdo emergjencë dhe për të mbrojtur infrastrukturën dhe qytetarët.
“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje dhe dëborë, një gjendje atmosferike tejet e rënduar e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë. Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë ku ka krijuar këtë masë atmosferike me reshje shiu dhe bore në të gjithë vendin. Më shumë thatësira dhe zjarre, vorbulla përmbytjesh, nuk është më klima që jemi mësuar.
Jam krenar për faktin që për çdo emergjencë jemi në gatishmëri, falë çdo investimi që kemi bërë, rreth çerek miliard euro. Kjo vorbullë 10-12 vite me radhë do të kishte përmbytur shumë më shumë. Ndërkohë që ne si qeveri jemi të qartë për investimet e shtuara për mbrojtjen”, tha Rama.


