Moti i keq godet sektorin energjetik

schedule22:30 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 22:30 - 25 Dhjetor, 2018

Moti i thatë dhe me reshje të pakta ka ulur ndjeshëm nivelin në kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 267 metra, 22 metra më poshtë se në fillim të vitit dhe afro 30 metra më pak se kuota më e lartë që regjistroi Fierza në muajin Maj.

Prodhimi mesatar i energjisë elektrike arrin në 12 mijë megavat orë në ditë. OSHEE ka nisur importin për mbulimin e nevojave të konsumatorëve me energji elektrike. Në fillim të Dhjetorit kompania e shpërndarjes finalizoi një procedurë blerje e cila i kushtoi 12.7 milion Euro, ndërsa ka zhvilluar një tjetër tender për blerjen e 81 mijë megavat orë energji.

Moti i keq jo vetëm që ka prekur sektorin e prodhimit të energjisë, por disa zona në vend kanë patur ndërprerje të energjisë elektrike. Më i prekuri është rajoni Korçës, ku pati një djegie të transformatorit në nënstacionin  e këtij qyteti dhe disa zona mbetën pa energji elektrike. OSHEE njofton se energjia është rikthyer në disa fshatra, dhe po punohet për vendosjen e një transformatori të ri brenda të mërkurës. Ndërprerje të energjisë ka patur edhe në rajonin e Burrelit, Kukësit dhe Shkodrës, por koha e riparimit të këtyre defekteve ka qenë më e shkurtër.

Tv Klan

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!