Reshjet e dendura të dëborës vështirësuan qarkullimin e mjeteve në Rrugën e Kombit ditën e djeshme. Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo ka treguar në emisionin e “Abc-ja e mëngjesit” se pasditja e djeshme e gjeti në një situatë të vështirë pasi po kthehej nga Kosova drejt Shqipërisë.
Ajo tha se qarkullimi ishte shumë i vështirë për shkak se nuk kishte asnjë borëpastruese, ndërkohë që në Kosovë dhe nuk ishte e njëjta situatë. Ajo shtoi se nuk dëshironte ta paguante taksën ndërkohë që kompania mirëmbajtëse nuk kishte marrë asnjë veprim për lehtësimin e situatës.
“Kisha shkuar në Prishtinë për disa intervista dhe teksa po kthehesha me tim shoq, vumë re që moti ishte shumë i keq. Në pjesën e Kosovës rrugët ishin të lira megjithëse ishte borë ndërkohë që sapo kaluam kufirin situata ishte e tmerrshme. Dhe nuk mund ta them se sa e rrezikshme.
Po ecnim shumë avash, dhe vumë re shumë më vonë teksa po ecnim se nuk kishte borëpastruese drejt Tiranës. Kemi ecur shumë avash dhe kur arritëm ku duhet të paguanim taksën, nuk deshëm dhe patën një diskutim me personin aty.”, tha Floriana. /abcnews.al