Moti ekstrem, Balluku mesazh qytetarëve: Masat janë marrë, kërkojmë mirëkuptim

schedule18:58 - 21 Janar, 2022

schedule 18:58 - 21 Janar, 2022

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u është drejtuar mbrëmjen e sotme me një mesazh të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ndërkohë që në pesë ditët e ardhshme pritet që të ketë temperatura ekstreme shumë gradë nën zero, ministrja apeloi qytetarët që të qëndrojnë të sigurt. Balluku tha se akset rrugore në të gjithë vendin do të qëndrojnë të hapura, ndërsa kërkoi kujdes nga ana e drejtuesve.

Po ashtu, sipas ministres mund të ketë avari në sistemin e energjisë, ndërsa apeloi qytetarët se ndonëse temperaturat do të jenë tepër të ulëta dhe kërkohet më shumë konsum, të mos shpërdorohet energjia. Ministrja tha gjithashtu se për shkak të konsumit të lartë do t’i drejtohen importit.

“Me të vërtetë do të kemi temperaturave të ulëta minus rekord që do të krijojnë probleme. Më duhet t’ju jap një informacion të detajuar për energjinë në kushtet e këtyre agjentëve. Kemi marrë masat në të gjithë Shqipërinë. Në kaskadë jemi duke prodhuar në fuqi të plotë. Do të kemi një presion të madh mbi sistemin energjetik, që do t’i duhet ti drejtohemi importit.

Për shkak të kushteve atmosferike shumë të rënduara, mund të kemi edhe avari gjatë këtyre 5 ditëve. Kërkohet mirëkuptimi juaj.

Për shkak të konsumit të madh, do të kërkoj që të mos shpërdorojmë energjinë. Të kuptojmë që kjo është një situatë e jashtëzakonshme.

Së bashku duhet ti qëndrojmë këtij sulmi natyror që do të zgjas pak ditë. Kërkoj vëmendjen tuaj për të gjitha rrugët në territor që ne do ti mbajmë të hapura. Do t’ja dalim edhe në këtë sfidë me motin, qëndroni të sigurt!”, u shpreh Balluku. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!