Mot i kthjellët dhe i nxehtë, sa do të shkojnë temperaturat sot

schedule07:10 - 15 Korrik, 2024

schedule 07:10 - 15 Korrik, 2024

Vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë deri pas mesdite kur priten kalime vranësirash nëpër territor, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore lindor. Megjithatë nuk priten reshje në territor. Parashikohet që pasditja dhe nata të vijojnë nën dominimin e kthjellimeve; vranësirave dhe lagështirës së lartë në ajër.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 19°C vlera minimale deri në 40 – 41°C maksimalja në rang territori.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi Jugor dhe Jugperëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Pjesa e parë e ditës në territorin e Kosovës do të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të motit të kthjellët dhe të nxehtë ndërsa orët e pasdites do të sjellin kalime vranësirash të lehta, ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat jugore dhe jugperëndimore, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 19°C vlera minimale deri në 40°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë mesatare por herë pas here e fortë me shpejtësi deri në 50 km/h nga drejtimi kryesisht jugor.

Maqedonia e Veriut

Gjatë ditës së hënë Republika e MV do të paraqitet nën ndikimin e kthjellimeve dhe temperaturave shumë të larta në pjesën më të madhe të territori. Kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri vonë pasdite, ku priten kalime të vranësirave nëpër të gjithë MV por më të theksuara në zonat përgjatë shtrirjes Lindore por mundësia për reshje është thuajse zero. Po ashtu lagështira në ajër do të rritet ndjeshëm. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 20°C vlera minimale deri në 42°C maksimalja në rang territori. Ndërkohë era do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi permanent verior.

Europa

Europa Jugore është përfshirë nga masat ajrore me origjinë nga Afrika duke sjellë mot të qëndrueshëm dhe rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit, ku zonat më të perkura nga temperaturat e larta janë: Jugu i Italisë, Sicilia, Qipro dhe një pjesë e mirë e gadishullit të Ballkanit. Gjithashtu me mot të qëndrueshme paraqiten gadishulli Iberik si edhe gadishulli Peloponez. Ndërsa Vendet Nordike si edhe Ishujt Britanikë do të vijojnë nën ndikimin e rrebesheve të shiut dhe stuhive të erës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!