“Mosdeklarimi i pagave, grabitje”, Rama: Bizneseve iu kemi ofruar lehtësira, por s’i paguajnë detyrimet bazë

schedule11:11 - 23 Tetor, 2024

schedule 11:11 - 23 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama thotë se sipërmarrjet kanë përfituar një sërë lehtësirash me politikat e ndërmarra por shtoi se ata vazhdojnë të mos i paguajnë detyrimet bazë si sigurimet shoqërore. Në një takim me strukturat tatimore, kreu i qeverisë shtoi se sipërmarrjet po grabisin duke mos deklaruar pagat reale.

“Nuk ka diskutim që kemi bërë mirë me këto masa se i kemi dhënë frymëmarrje sipërmarrjes, dhe kjo është frymëmarrje e ekonomisë, por problem është që jemi sot në kushtet kur kemi një tjetër ¼ që është e buxhetit që shkon për pensionet. Dhe na mungon kontributi i sipërmarrjes, ligjor i detyruar i sipërmarrjes në këtë. Si do t’i bashkojmë këto të dyja që edhe i është dhënë sipërmarrjes e gjithë kjo hapësirë lehtësie që s’e ka asnjë në rajon, edhe sipërmarrja vjedh pensionistët.

Më falni për fjalën, por nuk di ca emir t’i vë tjetër, grabit pensionistët duke mos paguar detyrimet bazë.  Nëse do të vazhdonim mbi taksën e sheshtë do të kishim më shumë të ardhura, por do të merrnim më shumë nga xhepi i punëmarrësve. Ne e hoqëm taksën e sheshtë, e bëmë progresive dhe kemi hequr dorë nga jo pak, po nga një shumë e konsiderueshme që ia kemi lënë mësuesve, infermierëve, punonjësve në të gjitha hallkat ekonomikë.

Si t’ia bëjmë kur për 17 sektorë të ekonomisë, janë 156 mijë të punësuar që deklarohen me pagë 50 mijë lekë të reja, sepse është përjashtuar nga taksimi dhe që duke i parë sektorët me radhë nuk ka asnjë logjikë që ta thotë që duhet ta gëlltisësh këtë gjë se janë paga të gënjeshtërta. Mirëpo nga kjo gënjeshtër dhe nga kjo qasje kriminale ndaj pensionistëve ne kemi gropë të madhe, të cilën e kompensojmë sot që flasim, duke vendosur gjysmë miliardë euro për të plotësuar pensionet se pa to pensionet nuk mund të jepen në nivelin që janë sot.”, u shpreh Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!