Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet të gëzohen kur diçka vonohet për Shqipërinë. Ai ka thënë se këtë zakon të mësuar nga Sali Berisha duhet ta heqin, pasi nuk është në të mirë të tyre.
Rama ka theksuar se dritarja për në BE duhet shfrytëzuar, pasi është një mundësi që nuk është aty pafundësisht.
Sakaq, ai ka folur dhe për aeroportin e Kukësit, i cili është duke punuar për të lidhur disa kontrata, edhe për naftën në Shpirag ku janë duke kërkuar një mënyrë tjetër dhe me më pak kosto.
“Këto jashtënxjerrje që me mëngjes sikur t’ia kursenit vetes, do ishte mirë. Se jeni goxha burra, ca nga ju as burra nuk janë.
Aeroporti i Kukësit është i ndërtuar dhe operatori i Kukësit është duke punuar për të lidhur disa kontrata. Për sa i përket naftës në Shpirag, një nga kompanitë më të mëdha të botës zbuloi një rezervë, por kostoja bëhet shumë e lartë dhe jemi duke punuar për mënyra të tjera. Por mos u gëzoni kur diçka për Shqipërinë vonohet. Hiqeni këtë zakon që ju ka mësuar bufi i kënetës. Mos u gëzoni se jeni bijë nënash dhe baballarësh.
Ku e sheh që më ka zënë frika? Për çfarë? E di për çfarë më zë frika mua? Që koha që kemi në disavantazh të mos shfrytëzohet maksimalisht. Këto komentet vejnë e vijnë, por që të jemi seriozë Shqipëria është në një oportunitet historik, kemi dritare të hapur për të hyrë në Bashkimin Europian. E hapur për herë të parë, si rezultat i përputhjes së rrethanave tona me rrethanat e BE. Është dritare që është e hapur për ne dhe duhet të shfrytëzojmë këtë moment, këtë kohë, duhet të mbyllim negociatat deri në fund 2027 dhe duhet të hidhemi brenda, që kur dritarja të mbyllet ne të jemi brenda në BE, dhe të fitojmë statusin e munguar për shumë e shumë vite, të barabartë mes të barabartësh”, tha Rama./abcnews.al

