“Mos u dorëzoni”, mesazhi i nënës nga Ukraina e strehuar në Kosovë

schedule20:18 - 24 Shkurt, 2023

schedule 20:18 - 24 Shkurt, 2023

Olga Gorgolla së bashku me dy fëmijët është larguar nga vendlindja e saj tash e tre muaj. Refugjatja ukrainase thotë se qyteti Kharkiv po përballet me luftë të tmerrshme dhe atje tashmë i kanë mbetur edhe anëtarë tjerë të familjes.

“Mos u dorëzoni”, është mesazhi i Gorgollës në një-vjetorin e pushtimit rus të Ukrainës.

Ajo është e vetmja refugjate që aktualisht po qëndron këtu bashkë me 12 gazetarë të tjerë të strehuar në Kosovë.

“Unë jam nga qyteti i Kharkiv. Ju e dini nga historiku i luftës Kharkiv. Është nga territoret më të nxehta dhe më të rrezikshme që ka filluar më 24 shkurt”, tregon ajo.

Refugjatja ukrainase po qëndron në Kosovë bashkë me dy vajzat e saj, por një pjesë tjetër të familjes e ka në Ukrainë.

“Unë erdha në Kosovë vetëm me dy fëmijë dhe në Ukrainë e kam lënë familjen time, vëllain, nënën dhe babin…Të gjithë qytetarët e Ukrainës, që janë shpërndarë nëpër krejt botën, në këtë ditë bashkohen dhe tregojnë solidaritetin dhe mbështetjen kundër luftës së ashpër nga Rusia. Dhe me këtë ngrohtësi desha të jap një mesazh të rëndësishëm: mos u dorëzoni!”, ka shtuar ajo për KosovaPress.

Në një-vjetorin e fillimit të invazionit rus, gazetarët ukrainas kanë marshuar në sheshet e kryeqytetit me pankarta në duar, me mesazhe për ndërprerjen e luftës dhe falënderime për Kosovën. Në përfundim të marshimit, pranë sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, gazetarët po ndezin qirinj dhe kanë kënduar himnin e Ukrainës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!