Situata financiare e Barcelonës është e vështirë dhe klubi po has vështirësi të madhe me rinovimet e talenteve të ekipit. Ilaix Moriba është rasti më i vështirë.
Talenti 18-vjeçar ka treguar aftësi të mëdha në sezonin e shkuar dhe trajneri Koeman i besoi, por tashmë ai duket se ka vendosur të largohet në një tjetër vend, ku i japin më shumë para.
Kontrata e talentit përfundon në verën e ardhshme dhe Barcelona nuk ka në plan ta fusë në fushë në rast se nuk rinovon. Nga ana tjetër pala e lojtarit, babai dhe agjenti, këmbëngulin të shkojnë në një klub që ofron më shumë.
Së fundmi në lidhje me Ilaix Moriba ka folur trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, që tregon prapaskenat në tratativa dhe zhgënjimin e tij për zgjedhjen e bërë nga 18-vjeçari.
“Kam folur me Ilaix dy a tre javë më parë. I jam drejtuar më shumë si njeri i thjeshtë sesa trajner i Barçës. Situata e tij është e tmerrshme. Ai është e ardhmja e klubit, por ai nuk është me ne.
Unë e di çfarë klubi dëshiron t’i ofrojë këtij lojtari. Këshilla ime është se paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme. Duhet të luash në ndeshje që të rritesh si lojtar.
Jam shumë i zhgënjyer nga kjo situatë. Besoj më shumë në futboll sesa në kontrata, paratë nuk janë aq të rëndësishme për një 18-vjeçar”, tha Koeman. /abcnews.al