Mori pjesë në protestat e vitit 2013, Turqia dënon me burgim të përjetshëm biznesmenin Osman Kavala

schedule21:10 - 28 Shtator, 2023

schedule 21:10 - 28 Shtator, 2023

Gjykata e Lartë e Apelit e Turqisë ka lënë në fuqi dënimin e përjetshëm të biznesmenit dhe filantropistit Osman Kavala, raportoi kanali Haberturk dhe media të tjera, ndërsa rrëzoi dënimin me 18 vjet burg të dhënë për tre të bashkëpandehurit e tij.

Kavala, 65 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht në prill 2022. Shtatë persona të tjerë u dënuan me 18 vjet burg për organizimin dhe financimin e protestave në vitin 2013. Vendimi i gjykatës u pa në atë kohë si një simbol i goditjes së Turqisë ndaj disidentëve të Rexhep Tajip Erdoganit, dhe u ndëshkuan, nëpërmjet sistemit gjyqësor, ata që qeveria i konsideron si armiq të saj. Të gjithë të pandehurit i kanë mohuar akuzat, duke argumentuar se protestat e vitit 2013 ishin spontane.

Gjykata la sot në fuqi dënimin e përjetshëm për Kavalën dhe 18 vjet për katër të pandehur të tjerë, përfshirë avokatin Can Atalai, i cili u zgjodh deputet majin e kaluar.

Ky vendim shënon fundin e procedurave juridike për Kavalën, i cili qëndron në burg që nga viti 2017. Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar tashmë ankesën e tij.

Qindra mijëra njerëz demonstruan në Stamboll dhe qytete të tjera në Turqi në vitin 2013, duke protestuar kundër planeve të qeverisë për të ndërtuar një kazermë osmane në parkun Gezi. Në atë kohë, Erdogan i barazoi protestuesit me terroristët dhe vazhdimisht akuzoi Kavalën për financimin e protestave.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që Kavala dhe të pandehurit e tjerë duhet të lirohen sepse të drejtat e tyre janë shkelur, por Turqia nuk e ka zbatuar vendimin dhe tani përballet me mundësinë e sanksioneve nga Këshilli i Evropës.