TIRANË- Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Besart Logu, komentoi zhvillimet në Partinë Demokratike, sidomos pas largimit të Enkelejd Alibeajt dhe aludimet për zgjedhjen e drejtimit të partisë.
I ftuar në ABC News, Logu u shpreh se sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi mund ta emërojë nënkryetaren Jorida Takaku në këtë post, deri sa të zhvillohen zgjedhje për votëbesimin e “timonierit” të ri të Partisë Demokratike.
“ I bie znj. Tabaku të emërohet si kryetare. Vetë Bardhi në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm e bën këtë emërim. Nuk e di pse dhe për çfarë arsyesh u shty mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike. Është organ që prodhon politike. PD pati një rezultat katastrofik më 14 maj, dhe medoemos duhet të analizojë situatën dhe ta kalojë partinë në zgjedhje. Sot pritej të mbahej një mbledhje kryesie, por u shty paafat.
Por, a mund të ketë individë brenda PD-së që punojnë për llogari të Sali Berishës, për këtë Logu u përgjigj si vijon:
“Nuk mendoj se në PD të ketë Hamza, që punojmë për llogari të Sali Berishës. Znj. Harxhi është për ti thënë në cilën seli, tek seila e Ilir Metës. Si drejtues i koalicionit ishte ish-LSI apo Partia e Lirisë. Berisha nuk mban asnjë post në PD. Ka vendim kryesie, ku nuk lejon personat e shpallur “non grata” që të këtë poste drejtuese.”, tha ai.
Ai shtoi se të gjithë demokratët duhet të punojnë për të ngritur Partinë dhe këtë qasje mos ta bazojnë tek emrat, por tek krijimi i frymës. Anëtari i Këshillit Kombëtar theksoi se demokratët e kanë të domosdoshëm një bashkim, por pa Sali Berishën.
“Është koha për të ngritur zërin dhe për të ngritur PD. Jam i mendimit se nisur nga gjendja ku ndodhet PD, është shumë me rëndësi, që tek ne të ngrihet frymë dhe po qëndruam akoma tek emrat. Duke shkuar pas Berishës, PD degradoi deri në këtë pikë. Një bashkim është i nevojshëm. Bashkim pa Berishën padiskutim. Me gjuhë sportive, z. Berisha ka marrë karton të kuq, nuk është më në lojë.”, u shpreh ai./n.m.abcnews.al