Prokurori i prokurorisë së Tiranës Përparim Hasa është vënë nën hetim, ndërsa avokatja Donata Lepenica është vënë në pranga. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se ka nisur një hetim për një rast korrupsioni në organin e akuzës së kryeqytetit.
Nga të dhënat e deritanishme mësohet se të dy janë përfshirë në një rast mitmarrje. Bëhet fjalë për dhënien e 2000 eurove, në këmbim të ndryshimit të akuzës për një të pandehur.
Policia bëri të ditur se bashkë me avokaten 57 vjeçare Lepenica, gjatë operacionit të koduar “Ndërmjetësi”, janë arrestuar edhe Yzeir Bala, 32 vjeç dhe Megi Naksi, 31 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Për të tre këta persona, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të rënda. Vepra penale në ngarkim të tyre është “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, e kryer në bashkëpunim”.
Sipas burimeve, mitmarrja është dokumentuar edhe me pamje filmike të kamerave të sigurisë së prokurorisë së Tiranës, të cilat janë sekuestruar prej 4 ditësh nga grupi hetimor i çështjes./abcnews.al