Monika Kryemadhi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masës detyrim paraqitje të caktuar nga gjykata.
Kryemadhi duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, çdo të hënë të parë të muajit, në orën 12:00.
“Unë jam një individ, aq më shumë një politikane, që vendos të përballem edhe me padrejtësitë që bëhen. Po bëj komplet mbrojtjen time ligjore sa i përket pretendimeve që ka ngritur SPAK ndaj meje, kam evidentuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Do të kundërshtohen me fakte, prova dhe argumente. Do të njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe të satelitëve të Shqipërisë. Jo jo, nuk komunikoj, zero komunikim me zotin Meta”, deklaroi Kryemadhi.
Ish- presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë u arrestua me urdhër të SPAK për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe deputetja Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Ilir Metës me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci.
Gjykata ka vendosur masën e “detyrimit për paraqitje” para oficerëve të Policisë Gjyqësore për Kryemadhin; arrest shtëpie për ish-zyrtarin Pirro Xhixho, i akuzuar gjithashtu për korrupsion pasiv si dhe masën e detyrimit për paraqitje për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale./abcnews.al