Monedha europiane ka vijuar të dobësohet përballë lekut shqiptar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në kursin e këmbimit një euro po këmbehet aktualisht me 94.2 lekë, i cili rezulton se është një prej niveleve më të ulëta të regjistruara që prej futjes së monedhës në përdorim në ekonomi.
Agjentët e tregut valutor parashikojnë që monedha europiane do të vijojë të qëndrojë e dobët përballë lekut, pasi tashmë pritet shtim i turistëve të huaj, ndërsa tregu vazhdon të karakterizohet nga një gjendje e bollshme e valutës dhe kërkesa për të është e dobët.
Zhvlerësimi i euros, sipas institucioneve, ka ardhur si rezultat i hyrjeve të larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja. Kjo situatë, sipas Bankës së Shqipërisë, ka ndikuar pozitivisht në mbajtjen e inflacionit në kontroll, edhe pse s’ka pasur ulje të çmimeve.
Turizmi shqiptar e ka nisur vitin me ritme rekord. Gjatë tremujorit të parë, të ardhurat nga vizitorët e huaj, sipas Bankës së Shqipërisë, arritën mbi 1 miliard euro, duke u rritur me 14.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tre muajt e parë të vitit, duke konfirmuar zgjerimin e sezonit turistik përtej muajve të verës.
Edhe dërgesat e emigrantëve kanë rezultuar më të larta në muajt e parë të vitit, të cilat arritën në 274 milionë euro, duke u zgjeruar me 9% kundrejt tremujorit të parë të vitit që lamë pas.
Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë deri në 450 milionë euro nga tregu gjatë vitit 2026. Ajo do të shtojë ndërhyrjet, ku sipas kalendarit të publikuar pritet të tërhiqen rreth 100 milionë euro më shumë se planifikimi për këtë vit. Ndërhyrjet kryhen për efekt të rezervës valutore, por edhe me qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit.



