Barcelona arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e djeshme në transfertën e Real Betis, ku katalanasit triumfuan me rezultatin 2-3. Goli i Trincaos rezultoi vendimtar, duke i mbajtur ato ende në garë për titullin kampion. Ronald Koeman është shumë i lumtur për tre pikët dhe thekson se kjo është rruga e duhur. Tekniku ndalet dhe tek rotacioni që kishte bërë si dhe tek roli i Messit në ekip.
“Kjo është rruga e duhur. Rezultatet e fundit pozitive na kanë dhënë më shumë besim dhe lojtarët po luajnë më të sigurtë. Trincao? Ai është i ri, duhet të përshtatet me nivelin e një klubi të madh si Barcelona. I kemi dhënë atij disa minuta, por fati nuk ka qenë më të. Në këtë ndeshje rezultoi vendimtar dhe kjo ka rëndësi”, deklaron holandezi.
“Barcelona me Messin është një ekip më i mirë, shumë më efektiv. Ai është këtu prej vitesh dhe e ka treguar se është një lojtar jetik për këtë ekip. Rotacioni? Kemi bërë disa ndërrime në formacion për lojtarët që kanë luajtur më shumë, por dëmtimi i Araujo e bën situatën edhe më të komplikuar”, përfundon Koeman, të cilin tashmë e pret Sevilla në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. /abcnews.al