Analisti Martin Leka, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protestat e Partisë Demokratike, retorika politike ndaj kryeministrit dhe çështjet që lidhen me proceset ndërkombëtare ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Lekës, dhuna ka qenë element i pranishëm në protestat e organizuara nga Partia Demokratike ndër vite. Ai u shpreh se, sipas tij, kjo qasje nuk pritet t’i sjellë rritje mbështetjeje forcës politike në fjalë, përkundrazi mund të ndikojë në uljen e mbështetësve të saj.
Duke komentuar akuzat dhe paralelizmat e bëra ndaj kryeministrit Edi Rama, Leka i cilësoi si të gabuara krahasimet me presidentin venezuelian Nicolás Maduro. Sipas tij, kjo narrativë nuk qëndron dhe dëmton debatin politik, ndërsa theksoi se angazhimet ndërkombëtare të Ramës, përfshirë pjesëmarrjen në forume të nivelit të lartë, bien ndesh me këto pretendime.
“Edhe pas 40 vjetësh Berisha ka qendër dhunën. Të gjitha protestat e PD kanë qenë në qendër dhuna. PD në këtë sens, jo sipas sondazhit, por edhe më tepër do të vijojë të ulë mbështetësit e vet. “Ramaduro”, doli “DuroRama” fakti që PD mbështet narrativen dhe paralelizmi me Maduron është padyshim narracioni më i keq për të sulmuar kryeministrin. Të gjithë jemi dëshmitarë që Rama përpos këtyre akuzave tregon që kjo narrativë dhe fakti që do të jetë në Shtëpinë e Bardhë në Bordin e Paqes tregon që s’do të ketë asnjë lidhje me narrativën”, tha Leka.
Në vijim, analisti theksoi se diplomacia shqiptare dhe ajo kosovare duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të përballuar dhe, sipas tij, për të çmontuar akuzat në arenën ndërkombëtare ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Leka u shpreh kritik ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një gjykatë me bazë politike.
Ai përfundoi duke deklaruar bindjen e tij se ish-drejtuesit e UÇK-së janë të pafajshëm dhe se, sipas tij, do të shpallen të tillë, duke i konsideruar ata si figura që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës.
“Unë mendoj që diplomacia shqiptare dhe kosovare duhet që tani të ndërmarrin hapa konkretë, të bëjnë një luftë të fortë diplomatike, për të çmontuar akuzat. Kjo gjykatë është politike dhe është ndritur mbi bazën e politikës. Duhet të dyshojmë presionin e këtyre rasteve ndërkombëtare. Unë mendoj se ish-krerët e UÇK janë të pafajshëm dhe do të dalin të pafajshëm, ata janë martirë të lirisë”, shtoi analisti.


