Tashmë është një trend i ri dhe Ipko Superliga e Kosovës është kthyer në një treg tërheqës për futbollistët e Superiores. Gjilani, që renditet në vendin e dytë në klasifikim, ka thuajse një formacion të plotë me lojtarë të marrë në verë nga kampionati ynë.
Edhe gjatë kësaj periudhe merkatoje, drejtuesit e klubeve dardane i kanë hedhur sytë nga Shqipëria mëmë dhe kanë marrë plot nëntë futbollistë. Ballkani ka marrë dy, sikurse edhe Llapi. Kryesuesit e kampionatit kanë rikthyer dy shqiptarë të Kosovës, mesfushorin Roni Gashi dhe sulmuesin Mirlind Daku.
I pari ishte pjesë e Teutës, kurse tjetri ishte marrë në huazim nga Kukësi. Të dy u lanë të lirë dhe në Kosovë shpejtuan t’i bëjnë pjesë të tyre. Llapi afroi në limite mesfushorin Ersil Ymeri, i cili nuk gjeti hapësira te Laçi. Klubi nga Podujeva mori edhe mbrojtësin Florian Daci, nga Kastrioti i Kategorisë së Parë.
Gjilani nuk mund të mos i hidhte sytë nga Superiorja dhe trajneri Gentian Mezani mori në ekip malazezin Darko Nikac, të cilin e kishte tentuar në verë por Teuta u tregua më e shpejtë. Te durrsakët sulmuesi nuk spikati dhe në janar u largua dhe tani do të provojë një eksperiencë të re në Kosovë.
Në të njëjtin qytet ka shkuar edhe mesfushori Almir Ajzeraj, të cilit nuk ju besua te Skënderbeu dhe në vazhdim do të veshë fanellën e Dritës. Prishtina “goditi” me sulmuesin Otto John, i cili rikthehet në Kosovë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Ansi Nika dhe Valto Zeqaj, të cilët janë larguar nga Vlora dhe njëri do të luajë për Trepça ’89 e tjetri për Flamurtarin e Prishtinës. /abcnews.al

