Mjeshtrja e cirkut shqiptar sfidon moshën, 58-vjeçe nuk heq dorë nga numrat e ajrit: Ju rrëfej rrugëtimin tim

schedule11:45 - 3 Mars, 2023

schedule 11:45 - 3 Mars, 2023

Fitnete Duro është mjeshtrja e cirkut shqiptar, e cila edhe në moshën 58-vjeçare nuk ka hequr dorë nga numrat e ajrit dhe akrobatik.

E ftuar në “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, ajo ka treguar se vetëm kur ka qenë shtatzënë ka pushuar nga salla e cirkut.

Duro ka bërë një rrëfim të rrallë për të gjithë jetën dhe karrierën e saj, duke u ndalur te fillimet e saj në cirk, që në kohën kur ishte në Pallatin e Pionerit. Madje, kujton me shumë kohë edhe profesorin që e spikati dhe bëri që ajo t’i hynte kësaj rruge.

“Pasion, punë e madhe që kam bërë, intensive, pa ndaluar. Nuk e kam ndërprerë në asnjë sekond punën, përveç se në tre shtatzënitë e mia. Kthehesha se trupin duhet ta mbanim në formë dhe mundoheshim që me këto përgatitjet fizike që të mos shëndoshesha, të mos merrja kilogramë. E kisha fiksim këtë pjesën e kileve, nuk e doja.

Unë stërvitem çdo ditë, paradite, pasdite, orë pafund. Për një numër duhet shumë punë, 4 orë paradite, 2 orë pasdite, nuk numërohen orët për të nxjerr një numër me nivel.

Ne shkonim si fëmijët që stërviteshin në Pallatin e Pionerëve, disa në piano, këngë, në shumë zhanre, unë shkoja në akrobaci çdo ditë. Mami thoshte mos shko u lodhe, babi më mbështeste shumë, lëre të shkojë goca dhe ishim shumë te Pallati i Pionerve. Ka qenë profesori Bashkim Caslli që më spikati, 40 vjet dhe unë e mbaj mend emrin e tij dhe tani. Nga aty kaluam edhe në studion e Cirkut pastaj. Ishin disa vajza dhe djem, të cilët dolën përpara një komisioni dhe u përzgjodhën. Këtu u bëra profesioniste. Unë nuk refuzoja asgjë në punën time, më thoshte profesori do bësh këtë numër, nuk i thoja jo. Edhe në shfaqje nuk bëja vetëm një numër, bëja 3-4 tablo të ndryshme dhe të stileve të ndryshme, ekuilibër, ajër, vertikalet”, tregoi mjeshtrja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!