Mjeku shqiptar në SHBA, Arjet Gega ka deklaruar se për të arritur në atë që cilësohet si “bashkëjetesa me virusin”, duhet të ketë më shumë testime në popullsi.
Në një intervistë me Mirela Milorin në “Mbrëmje në Abc”, mjeku tha se si çdo epidemi edhe në këtë rast do të ketë një imunitet të turmës.
“Si çdo epidemi, ka një kohë të zjarrit kur është hapur, pastaj ka edhe një pjesë kur bie. Njëra nga këto janë imuniteti i turmës. Për shtetin tonë deri tani rastet zyrtare kanë 24 mijë, por duke parë ecurinë besojmë se do jetë të paktën 5 herë më i madh. Pra do ketë një imunitet të turmës. Por edhe një imunitet i ulët ndihmon në thyerjen e zinxhirit të transmetimit. Sa më shumë të rritet imuniteti i turmës aq më pak raste do të ketë.
Bashkëjetesa me virusin. Së pari duhet të rrisim numrin e testimeve, të kemi aftësi testimi edhe për popullatat, të paktën këtu në SHBA. Në radhë të dytë duhet që të ketë aftësi investiguese, duhet që numrat të bien goxha. Duhet të kemi kaluar mbi majën e grafikut dhe të jemi në fazën e rënies”, tha ai.
Lidhur me deklaratat në SHBA për një hapje të mundshme, mjeku sugjeron se kjo hapje duhet të jetë graduale, në të kundërt do ketë një valë të dytë.
“Duhet që në fillim të arrijnë disa kishte, një nga këto kushte është që epidemia të jetë në rënie. Hapja duhet të jetë graduale, dhe duhet të shikohet si përgjigjet epidemia”, tha ai.
Sa i takon vaksinës, Gega tha se pavarësisht se po punohet me ritme të shpejta, në gjykimin e tij do të jetë gati në verën e vitit të ardhshëm.
“Unë jam optimist për sa i përket vaksinës. Koronavirusi është një virus i një familje që e kemi njohur më parë. Janë 19 vaksina në stade të ndryshme, janë 2-3 më të avancuara , kanë filluar edhe provat te njerëzit. Jemi të detyruar që në kushtet e pandemisë ritmet të shpejtohen. Rreth verës së vitit të ardhshëm mund të kemi një vaksinë. Këto janë hamendje megjithatë”, deklaroi mjeku. /abcnews.al