Nga Ema Shazivari
Pavarësisht rritjes së lehtë që pësoi numri i infektimeve ditore pas festave të fundvitit, ekspertët e komitetit teknik, e quajnë situatën aktuale të qëndrueshme. Për “ABC”, shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi thotë se kjo është falë masave të marra.
“Situata duket e stabilizuar për faktin se ka luhatje të vogla në shifra”, thotë ai.
Por sipas tij, dalja e vaksinës ka bërë që së fundmi qytetarët të neglizhojnë këto masa, duke rrezikuar një përkeqësim të situatës.
“Shfaqja e vaksinës i ka dhënë një shpresë të gjithëve për daljen nga pandemia. Por do të thoja se deri në momentin e bërjes së vaksinës individët janë njësoj të pambrojtur”, thotë Koraqi.
Në spitalet COVID numri i pacientëve është më i ulët se dy muaj më parë, por Koraqi thotë se nuk ka rënë virulenca e COVID.
“Ajo që ka më shumë rëndësi është okupimi i shtretërve spitalorë. Në krahasim me dhjetorin do të thoja se kemi nja stabilitetit. Por dua të them se virulenca e virusit është e pandryshuar”, sqaron ai.
Sipas ekspertëve, masat anti-covid, kanë parandaluar edhe përhapjen e gripit sezonal, duke theksuar se rastet me viruset e stinës janë sporadike.
/abcnews.al/