Mjekët tregojnë si po shfaqet Covid-19 tek pacientët e infektuar: Maska mjeti më i lehtë mbrojtës

schedule11:15 - 11 Nëntor, 2020

schedule 11:15 - 11 Nëntor, 2020

Mjekët e dy spitaleve COVID kanë dhënë të dhëna mbi simptomat që kanë pacientët e prekur nga Covid-19. Gjatë një trajnimi me mjekët e spitaleve në të gjithë vendin të cilët po bëhen gati për përballimin e vjeshtë-dimrit, shefja e Infektivit Najada Çomo dhe mjeku Skënder Brataj treguan format e sëmundjes dhe llojet e simptomave duke theksuar se ato nuk janë të njëjta te të gjithë pacientët.

“Në rastin e formës së lehtë, imazheria është e paprekur. Në rastin e formës së mesme kemi një pneumoni dhe në këtë rast shenjat më evidente janë më të shtuara në fushën e aparatit respirator.   Në formën e rëndë nga ana e imazherive situata precepiton dhe nga 24 deri në 48 orë shikohet në një gravitet të rënduar”, tha Najada Çomo.

Ndërkohë Brataj theksoi se nga dita e 7 deri në ditën e 14 pacienti duhet mbajtur nën monitorim pasi janë kyçe për reagmin e organizmit ndaj sëmundjes.

“Shenjat dhe simtomat janë kollë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje trupi dhe probleme në frymëmarrje. Këto nuk shfaqen menjëherë. Humbja e shijes dhe nuhatjes është në forma të lehta dhe shumë i përhapur. Shenjat e tjera janë bashkëshoqëruese në varësi të sëmundjes.  Nga dita e 7 në ditën e 14 është kyç për monitorimin e pacientëve.  Forma e lehtë ka dhimbje koke, temperaturë, dhimbje fyti dhe lodhje. Pas 5 ditësh duhet të bëjë analizën e gjakut që janë indikatorë edhe për imazheritë. Të gjithë personat kanë sjellje të ndryshme ndaj virusit“, tha Brataj.

Ndërsa mjekja Silvana Bala bëri apel për mbajtjen e maskës, duke e cilësuar atë si mjeti më të lehtë mbrojtës ndaj kësaj sëmundje.

“Maskën duhet ta përdorim të gjithë sepse është mjeti i vetëm dhe më i lehtë mbrojtës. OBSH ka deklaruar se dy persona me maskë kanë një shans më të ulët për tër infektuar të tjerët”, u shpreh Bala./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!