Mjekët në Francë: Mund të kemi regjistruar rastin e parë të infektimit nga nëna tek foshnja në bark

schedule09:40 - 15 Korrik, 2020

schedule 09:40 - 15 Korrik, 2020

Mjekët në Francë besojnë se mund të kenë regjistruar rastin e parë të transmetimit të koronavirusit nga nëna tek fëmija në mitër. Ekspertët mjekësorë kanë regjistruar një numër rastesh të foshnjave të sëmura me Covid-19. Por ky rast është ndryshe.

Mjekët në spitalin Antoine Beclere në Paris konfirmuan se një foshnjë ishte bartës i virusit vetëm një orë pas lindjes, ndërsa besojnë se infeksioni ka kaluar nga placenta në mitër, raporton Independent, përcjell Abcnews.al

Ndërsa e tregonin studimin e tyre në revistën Nature Communications, kërkuesit thanë se një nënë shtatzënë 23-vjeçare u shtrua në spital në mars me temperaturë dhe kollë të rëndë.

Pasi rezultoi pozitive për Covid-19, foshnja e saj erdhi në jetë një javë më vonë me ndërhyrje cezariane. Testet e bëra një orë pas lindjes, tre dhe 18 ditë pas lindjes rezultuan të gjitha pozitive për prezencën e virusit tek foshnja.

Testet shtesë të bëra në lëngje të marra nga mushkëritë e të porsalindurit, po ashtu edhe kampionet e gjakut, treguan shenja të virusit.

Së bashku me kolegët e tij, Daniele De Luca, drejtori mjekësor i pediatrisë dhe kujdesit kritik neonatal në Antoine Beclere, mati ngarkesa më të larta virale në placentë sesa në lëngun amniotik dhe gjakun e nënës, duke sugjeruar se Sars-CoV-2 mund të riprodhohej në mënyrë aktive në qelizat brenda placentës.

Sidoqoftë studiuesit thonë se do të duhen studime të mëtejshme për të konfirmuar këto rezultate. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!