Covid-19 dëmton mëlçinë tek shumë persona që preken prej tij. Ajo është një organ i heshtur që nuk jep shenja dhimbjeje që mund të shqetësojnë pacientin. Ndaj, mjekët rekomandojnë ekzaminimin tek specialisti për këtë organ pas kalimit të koronavirusit.
Mjekja gastrohepatologe Valdete Malaj, tregon disa simptoma të cilat shfaqen kur pacienti ka probleme me këtë organ.
“E shumta pacientët mund të ndjejnë një diskomfort, fryrje barku, gojë të hidhur dhe urinim me ngjyrë të errët sidomos në stadet më të avancuara të dëmtimit të mëlçisë.”
Sipas mjekes Malaj, Covid rëndon së tepërmi edhe gjendjen e pacientëve që kanë pasur më herët probleme me mëlçinë.
“Është vënë re që tek pacientët me probleme të mëlçisë….kanë pasur kryesisht rritje të transaminanzave.”
Shqetësime tek mëlçia shkakton edhe përdorimi pa kriter dhe pa mase i antibiotikëve, që gjatë pandemisë kanë qenë pjesë e kurave për shumë persona të prekur nga Covid-19, kryesisht ata në gjendje të moderuar dhe të rëndë.
Mjekët bëjnë thirrje që asnjë antibiotik të mos përdoret pa rekomandimin e mjekut. /abcnews.al/