Mjekët: Çfarë s’duhet të neglizhoni, epidemia do të jetë derisa të krijohet imuniteti i tufës

schedule09:00 - 29 Qershor, 2020

schedule 09:00 - 29 Qershor, 2020

Mjeku Refet Nura në një intervistë në “ABC e mëngjesit” u shpreh se për shkak të rritjes së numrit të testimeve është rritur edhe numri i identifikimeve të rasteve me virus.

Ai shtoi se numri i personave të cilët kanë humbur jetën nga COVID-19 po vazhdon të ulet dita ditës. Mjekët gjatë intervistës thanë për gazetarin Enkel Demi se masat e vendosura nuk duhet të neglizhohen dhe se qytetarët duhet të mësojnë të jetojnë me koronavirusin.

“Nga virusi nuk janë goditur vetëm stafi mjekësor në Shqipëri. Janë prekur shumë mjekë infermierë edhe në spitalet në botë. Mund të infektohemi edhe nga pacientë. Duke qenë se takojmë edhe pacientë me sëmundje të tjera të cilët mund të jenë bartës të virusit edhe pse vetë ata nuk e dinë, në këtë mënyrë edhe ne prekemi nga virusi”, u shpreh mjeku Refet Nura.

Ndërkohë doktoreshë Valbona Selimaj u shpreh se rritja e numrit të raste pas lehtësimit të masave ishte e pritshme, pasi në muajin qershor rastet e infeksioneve të reja filluan të rriteshin.

Selimaj theksoi se kjo pandemi do të mbarojë në momentin që do të krijohet imuniteti i tufës.

“Kjo epidemi do të jetë derisa të krijohet imuniteti i tufës. Është një proces i gjatë. Duhet të mësohemi të jetojmë me SarsCovid”, tha Selimaj.

Teni Kamberi mjek në Francë u shpreh se qytetarët duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat, të ruajnë distancimin social, vendosjen e maskave si edhe të tregojnë kujdes ndaj higjienës.

“Është edhe pakujdesi e njerëzve. Distancimi social, përdorimi i maskave, kujdesi i higjienës janë shumë të rëndësishme. Në Francë pacientët që identifikohen me koronavirus testohen dhe izolohen. Tani nuk bëhet më karantinimi i të gjithë popullatës, por bëhet karantinimi me zona”, sqaroi mjeku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!