Mitsotakis takon Zaev: Nuk do ta kisha firmosur marrëveshjen e Prespës

schedule19:30 - 24 Shtator, 2019

schedule 19:30 - 24 Shtator, 2019

Kryeministri grek Qirjakos Micotaqis, në takimin e parë me homologun Zoran Zaev në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka deklaruar se po të kishte qenë më parë në pushtet nuk do ta kishte firmosur marrëveshjen e Prespës. Micotaqis i tha kryeministrit të Maqedonisë së Veriut se, si lider i opozitës kishte bërë gjithçka që marrëveshja në fjalë të mos ratifikohej. “Por pas ratifikimit kjo marrëveshje është pjesë e ligjit ndërkombëtar, ndaj dhe Greqia duhet ta respektojë”, deklaroi Micotaqis. Më tej kryeministri grek i kërkoi Zaev që të vijojë pa u vonuar me implementimin e aspekteve të marrëveshjes, kryesisht me ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shenjave dalluese. Nga ana e tij, Zaev shprehu dëshirën që edhe Greqia të implementojë pjesën e saj të marrëveshjes dhe të mos pengojë kursin europian të Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se implementimi i marrëveshjes do të ndihmojë në rritjen e investimeve greke në vendin e tij, por Micotaqis u përgjigj duke thënë se mungesa e një marrëveshjeje në të kaluarën nuk i ka penguar investimet helene në Shkup. /ABC news Albania 24/7