Kryeministri Kyriakos Mitsotakis është takuar mbrëmjen e së mërkurës me homologun shqiptar Edi Ramën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku në qendër të bisedimeve ka qene procesi i anëtarësimit të Shqipërisë.
Sipas mediave fqinje, Greqia nuk do të pranojë procesin e anëtarësimit nëse nuk ka përparim në çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri.
“Greqia pranoi dërgimin e letrës së BE-së në Tiranë për hapin e parë të fillimit të negociatave, por me kusht që në fazën tjetër të procesit të ketë një lëvizje të qartë që F. Beleri të marrë përsipër detyrat dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, Greqia nuk do të pranojë fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit”.
Kujtojmë që më herët kancelari gjerman Olaf Scholz ka kërkuar heqjen e vetos për etapa të caktuara të zgjerimit. Sakaq, bëri thirrje, ndër të tjera, për më shumë mbështetje dhe vlerësim për vendet e Ballkanit Perëndimor. Scholz kujtoi në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili fillon punimet të mërkurën në Bruksel, se “prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së” dhe shtoi se tani “ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së”. /abcnews.al