Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha të premten se ishte e rëndësishme të mbaheshin hapur kanalet e komunikimit me Turqinë, pavarësisht retorikës së mprehtë që ka rritur tensionin midis dy fqinjëve.
Kohët e fundit, presidenti turk Tajip Erdogan tha se Greqia duhet të ndalojë armatosjen e ishujve në detin Egje, të cilët duhet të kenë një status të çmilitarizuar sipas traktateve ndërkombëtare. Greqia hedh poshtë pohimet e Turqisë si të pabaza.
Reuters raporton se Mitsotakis, i cili po fliste në Qipro, tha se ligji ndërkombëtar ishte në anën e Greqisë.
“Ne do të lëmë mënjanë çdo retorikë që devijon nga rregullat e praktikës së mirë diplomatike”, tha ai gjatë një takimi me presidentin e Qipros, Nicos Anastasiades në Nikosia.
“Besoj se kjo qasje është e duhura dhe se shpejt do të kthehemi në ujëra më të qeta, duke mbajtur gjithmonë kanale të hapura komunikimi. Është pikëpamja ime dhe gjithmonë ka qenë që edhe në momentet më të vështira ato nuk duhet të mbyllen kurrë”, tha Mitsotakis.
Ministrat e mbrojtjes të Turqisë dhe Greqisë u takuan në margjinat e një takimi të NATO-s në Bruksel të enjten dhe diskutuan mbajtjen e dialogut për të lehtësuar tensionet e rritura së fundmi, tha ministria e mbrojtjes e Turqisë. /abcnews.al