Rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës, të cilët dyshojnë se janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një “fast-food”
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka inspektuar këtë lokal, ndërsa njoftojnë se higjiena sanitare nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe se e kanë mbyllur lokalin përkohësisht.
Në njoftimin e AUV thuhet se parregullsi kanë hasur më së shumti në pjesën ku përgatitet doneri, derisa shtojnë se lokali nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare.
“Hapi i parë është ndaluar puna dhe ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Janë evidentuar të gjitha informata mbi procesin e punës dhe gatimit. Kryesisht ushqimet e gatuara kanë qenë: Hamburger, doner, tost etj. Përgatitja e mishit shkrirja në vaskë, deri të gatimi i final është bërë aty për disa produkte, disa të tjera janë furnizim nga mishtorja. Gjendja higjienike- sanitare në momentin e inspektimit nuk ka qen e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes se mishit për doner. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD”, thuhet në njoftim.
Nga kjo agjenci potencuan se operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore nga të gjeturat përfundimtare, derisa treguan se pacientët kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë liruar në shtëpi, raporton Kosova Press.