Vijojnë hetimet në lidhje me vrasjen me thikë të Petrak Gjikës në Fier 4 ditë më parë. Të dhënat nga prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, bëjnë të ditur se çështja është duke u shqyrtuar mes prokurorit të çështjes dhe oficerit të policisë gjyqësore. Informacionet mbi ecurinë e hetimeve kanë mbetur ende sekret midis këtyre dy palëve.
Pyetjes së Abc nëse hetimet po ecin në drejtimin e duhur, burime në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier thanë se shumë shpejt kjo ngjarje do të zbardhet dhe autori do të vihet para drejtësisë.
Një fakt tjetër, po nga këto burime, është se po punohet intensivisht, duke përfshirë në zbardhjen e ngjarjes shumë persona që kanë dijeni mbi personin e vrarë Petraq Gjika, nga Grecallia e Fierit, rojen e ndjerë që u vra në mënyrë barbare pranë disa serave, buzë rrugës së fshatit.
Gjika ishte roje në disa serra në fshat dhe u gjet i vdekur me disa goditje thikë mëngjesin e 11 qershorit. Dyshohet se personi që ka goditur Gjikën me thikë është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, ndërsa nuk dihen motivet që mund ta kenë çuar atë drejt një ngjarjeje të tillë.
Nga burimet ka rezultuar se 67-vjeçari ishte goditur me thikë edhe katër vite më parë në lokalin e fshatit teksa ishte duke pirë kafe aty. Dyshohet se këto ngjarje kanë të bëjnë apo me njëra-tjetrën.
/abcnews.al