Një arsye krenarie dhe frymëzimi e ka cilësuar kryeministri Rama kontributin e ekipit ushtarak dhe civil të misionit të Shqipërisë në NATO. Gjate një takimi me ta në zyrat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, kreu i qeverisë tha se ndodhen aty në bazë të meritokracisë.
“Shkëlqeni pa dyshim si pjesë e stafit ndërkombëtar të NATO-s, ku jeni zgjedhur pa asnjë kushëri, s’besoj se keni gjetur ndonjë kushëri në Finlandë apo në Holandë; pa asnjë parti, se këtu e vetmja parti që i bashkon që të gjithë këto kombe, këto shtete, këto shoqëri, është partia e vlerave të demokracisë, të lirisë dhe të një sigurie që garanton këto vlera”, tha Rama.
Rama shprehu ambicien e tij për riintegrimin e tyre në Shqipëri me të njëjtat paga si në Nato.
“Tani sigurisht që ambicia ime dhe ambicia jonë nuk mund të mos jetë që pjesën që na e kanë marrë të huajt, t’ua rimarrim. E di që kjo kërkon akoma më shumë punë, kërkon akoma ca kohë, sepse të huajt kanë një gjë që ne nuk e kemi akoma, që mund t’iu trajtojnë po kaq mirë sa ç’po ju trajtoj unë sot, por ndryshe nga unë që pasi t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri do të largohem, ata kur largohen ju paguajnë shumë më mirë sa ç’mund t’ju paguajmë ne, kështu që këtë hendek ne jemi duke e zvogëluar, por është ende një hendek”, shtoi ai.
Rama nuk i kurseu as batutat teksa vuri në pah punën dhe kontributin e tyre.
“Jini krenar që kushedi se sa italianë, gjermanë, anglezë pa llogaritur edhe ata të tjerët që kemi rreth e rrotull, i keni lënë pa punë, se ju keni zënë vendit.”, tha më tej kryeministri Rama.
/abcnews.al