“Mirënjohje për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë”, Rama: Po hyjmë në një fazë të re integrimi, më të avancuar

schedule14:24 - 11 Tetor, 2024

schedule 14:24 - 11 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi se me hapjen e grup kapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë, hyjmë në një fazë të re integrimi drejt BE-së. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez Victor Orban, Rama vlerësoi rolin e presidencës së Hungarisë në këtë aspekt.

“Së pari, më duhet të them që jam vërtetë shumë, shumë i nderuar për mënyrën sesi kryeministri, miku im më prezantoi. Nuk e di nëse është e merituar, por këto fjalë prej tij kanë vërtetë rëndësi të madhe për mua.

Të gjithë e dimë që Viktor Orbán ndoshta është me i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë, por për mua ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë për të analizuar dhe për të gjykuar të tashmen, por edhe për tu përgatitur për të ardhmen.

Prandaj është kënaqësi që jam këtu dhe kam kënaqësinë që të shpreh mirënjohjen time të thellë nga zemra për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë, pra Presidenca e Këshillit të BE-së për ne, duke nxitur, duke bashkërenduar dhe duke bërë të mundur që pas disa ditësh pra, ne do të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me Bashkimin Europian, pra një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë, ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar.

Sigurisht që është vendi dhe momenti për të falenderuar edhe dikë tjetër që nuk është pjesë e qeverisë hungareze, por që është pjesë e qeverisjes europiane, Oliver Varhelyi, Komisionerin e BE-së i cili na ka shoqëruar për 5 vite dhe ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë nga ato arritje tonat, pra për këto arritje të rëndësishme, jo vetëm në aspektin dypalësh, ndërmjet nesh dhe BE-së, por edhe në aspektin shumëpalësh, pra me të gjithë ne, në rajon.”, u shpreh Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!