Mirela Bogdani: Qeverisja aktuale një “neodiktaturë”, monitoron punonjësit

schedule21:16 - 12 Korrik, 2019

schedule 21:16 - 12 Korrik, 2019

E ftuara në mbrëmjen e sotme të emisionit “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano ka qenë Anëtarja e Këshillit Bashkiak Mirela Bogdani. Bogdani ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me lirinë e cdo individi në shqipëri, se sa i dukshëm dhe sa shprehet. Sipas Bogdanit njerëzit e lirë po kalojnë në një minorancë të frikshme pasi njerëzit kanë frikë të komentojnë dhe të mbajnë qëndrimet e tyre të lira, lidhur sidomos me politikën shqiptare. Bogdani gjithashtu komentoi zgjedhjet e 30 qershorit, dhe qëndrimet e KQZ. Ajo tha se sjelljet e qeverisjes shqiptare lidhur me këtë situatë ishin të një neodiktature ku produktivitetin e saj e mat me numrin e pëlqimeve dhe komenteve në rrjetet sociale.

“Njerëzit e lirë po kalojnë në një minorancë të frikshme, për sa i përket lirisë së mendimit apo së fjalës etj. Këtë e shoh në fobinë e madhe të njerëzve për tu shprehur në lidhje me çdo gjë që ka të bëjë me qeverisjen apo me stablishmentin politik. Kjo gjë është aq e dukshme sidomos më median sociale. Unë e kam parë vetë që, nëse unë botoj një status në Facebook, me natyrë politike, me kritikë apo me qëndrimin tim lidhur me një situatë të caktuar, ka shumë pak njerëz që reagojnë dhe shoh një numër minimal komentesh apo pëlqimesh. Kur i takoj në rrugë, më thonë se: “i pëlqejmë shumë statuset që bën por nuk na e mban të shkruajmë sepse monitorohemi”. Flas për të gjithë ata që janë të punësuar në administratën shtetërore shqiptare. Pra ka arritur një paradoks dhe për mua është tamam një neodiktaturë, sepse të monitorosh punonjësit e tu të administratës, se si e kanë sjelljen e tij…., përpara ca kohësh doli dhe një ish zv/ Ministër i Arsimit ku tha se në mbledhjen e qeverisë, produkti më kryesor i saj, ishte që kryeministri kërkonte me grafik sa pëlqime ka, e kuptoni se ku ka arritur produktiviteti i një qeverisjeje? Unë di gjithashtu, që në ministri të caktuara, mbledhin të rinj e të reja, ku puna e tyre është të monitorojnë të gjithë punonjësit, se çfarë qëndrimi kanë ndaj statuseve të caktuara, sidomos me titullarin. Kështu që në këtë kuptim, liria është një gjë e madhe që e dëshiron çdo njeri por jo çdo njeri mund ta ketë, pse? Sepse liria vjen me një kosto shumë të madhe. Ajo fillon me kosto financiare, kosto  materiale, sociale etj. Të jesh i lirë në Shqipëri, sot, nuk duhet të kesh lidhje me shtetin shqiptar por edhe me biznesin privat, sepse edhe aty ta gjejnë anën etj, etj. Unë jam një njeri i lirë dhe fatkeqësisht jam një nga njerëzit shumë të pakët që po kalojnë në minorancë të frikshme në këtë vend. Unë jam e lirë se nuk kam lidhje me shtetin shqiptar, nuk jam e punësuar nga shteti shqiptar. Për sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit, kam qenë vetë te shkolla Avni Rustemi, dhe qëllimi i opozitës nuk ishte për rezultatin por për çështjen e numrit, e nivelit të pjesëmarrjes. Jam kurioze për qendrën ku isha, ku u mbajtën shënim njerëzit si numër, edhe para dy ditësh kam kontrolluar faqen e KQZ, për të parë se a kanë nxjerrë numrin, se sa vetë kanë votuar në këtë qendër votimi, dhe fakti është që nuk kanë dalë akoma. Në gjithë zgjedhjet e tjera kanë dale, vetëm në këto zgjedhje nuk kanë dalë akoma. Kjo ishte një arsye që grupet e opozitës shkuan në qendrat e votimit për të mbajtur shënim numrin e votuesve. Unë mund ta them që tani sa kanë qenë te shkolla “Avni Rustemi”, dhe jam kurioze të dëgjoj se sa do nxjerrë KQZ. Pra ky ka qenë misioni kryesor Dua të them që me analizën e pas zgjedhjeve, ajo që më ka ardhur jashtëzakonisht keq, është për presionin e ushtruar ndaj administratës, duke filluar që nga kontrolli i gishtave. Dhe rezultati në këto zgjedhje ishin 2 gjëra: Në këto zgjedhje doli një numër rekord i fletëve të pavlefshme dhe mbushja e kutive me fletë votimi tepër. Hapja e disa kutive në Lezhë më duket se është në vijim të farsës, për të thënë që: “ja shikoni po i hapim”. Jam e sigurtë që ato kuti do dalin mirë, pra siç do KQZ dhe partia në pushtet. Pyetja ime është, pse nuk e bënë me partinë që kërkoi e para këtë gjë siç ishte Bindja Demokratike por u hapën për këtë? Pra ka standard të dyfishtë, domethënë një teatër i radhës”, tha Bogdani.

Por si qëndron problemi me demokracinë e brendshme të partive? Në diskutimin e saj me gazetarin Mustafa Nano, Mirela Bogdani shpjegoi se, sipas saj të gjithë partitë e tranzicionit shqiptar kishin shumë probleme lidhur me demokracinë e brendshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!