Miratohet projekt-buxheti për vitin 2023, Ibrahimaj: Pritet rritje ekonomike

schedule14:03 - 10 Tetor, 2022

schedule 14:03 - 10 Tetor, 2022

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë bëri me dije se gjatë mbledhjes u shqyrtua projekt buxheti për vitin 2023. Gjatë këtij viti parashikohet që ekonomia shqiptare të rritet me një normë prej 2.6 % në terma realë dhe 5.7% në terma nominalë. Nga ana tjetër gjatë vitit të ardhshëm parashikohet që inflacioni të fillojë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6%.

Ibrahimaj: Projektbuxheti do tu prezantohet në detaje në javët në vijim për çfarë parashikon. Ky buxhet do të vijojë që të mbështesë energjinë elektrike, pra mosrritjen e çmimit për energjinë elektrike që mos të preken konsumatorët dhe bizneset e vogla.

Për sa i përket amnistisë fiskale, Ibrahimaj bëri me dije se ende nuk ka një datë për miratimin e këtij ligji.

Ibrahimaj: Amnistia fiskale është një ligj i veçantë dhe nuk është parashikuar në projekt buxhetin që miratuam. Është ende në konsultim publik me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk kemi ende një datë për miratimin e këtij ligji.

Nga ana tjetër Presidenti i vendit, Bajram Begaj mblodhi ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar për çështjen e sulmeve kibernetike iraniane.

Ministrja bëri me dije se gjatë takimit u raportua për masat e marra nga ana e institucioneve dhe masat që do të merren në vijim për të siguruar mbrojtjen e vendit.

Ibrahimaj: Roli i Presidentit të Republikës është që të thërrasë komitetin e sigurisë kombëtare. Diskutuam për sigurinë kibernetike ku çdo institucion raportoi mbi masat e marra, nivelin e goditjes dhe masat që do të merren në vijim.

/Abcnews.al/