Miratohet marrëveshja për vaksinën anti-Covid, ekspertët: Do përdoret edhe tek të shëruarit

schedule13:28 - 26 Tetor, 2020

schedule 13:28 - 26 Tetor, 2020

Shqipëria ka gati “kontratën” për sigurimin e vaksinës anti-Covid. Komisionet parlamentare kanë miratuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe grupit COVAX për të siguruar vaksinën antikoronavirus. Në bazë të kësaj marrëveshje buxheti i shtetit do të para-paguajë rreth 4 milionë dollarë për sigurimin e vaksinës edhe pse ende nuk ka një të tillë të miratuar.

Si fillim synohet që të sigurohet një sasi vaksinash prej 1 milion e 140 mijë në total, që do të përdoren për grupet më vulnerabël siç janë personat mbi 60 vjeç, bluzat e bardha apo personat me sëmundje bashkëshoqëruese.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico dhe shefja e hetimit Epidemiologjik në QSUT Silva Bino, deklaruan gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, se vaksinimi  do të realizohet edhe për ata persona që e kanë kaluar Covid -19. Bino theksoi se fakti që e ke kaluar Covid-19 nuk përdoret si evidencë nëse duhet vaksinohesh apo jo pasi nga studimet ka rezultuar se imuniteti zgjat deri në 5 muaj.

“Teorikisht nëse e ke kaluar Covid-in mund të japësh një përgjigje për ata që e kanë kaluar Covidin dhe nuk kanë anti-trupa. Shumica e njerëzve, ne duke qenë se ky është një detaj që nuk e kemi në evidencë, kanë një imunitet që në studimet e fundit shkon deri në 5 muaj. Nuk ka lidhje nëse ke kaluar Covid-in, duhet të vaksinohesh apo jo. Kjo nuk përdoret si evidencë”, u shprehën Bino dhe Fiço.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka programuar 12 milionë dollarë për sigurimin e vaksinës. Deri më tani marrëveshja me COVAX  për sigurimin e vaksinës anti-covid është nënshkruar nga 90 vende kryesisht vende anëtare të BE-së./mv. abcnews.al