Miratohet kontrata për aeroportin e Kukësit

schedule13:45 - 20 Mars, 2019

schedule 13:45 - 20 Mars, 2019

Vendimi u mor, kuksianët do të bëhen me aeroport.

“Këshilli i Ministrave ka miratuar nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit për “Rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit””.

Procesi i tenderimit u krye në Dhjetor 2018 dhe fitues doli bashkimi i përkohshëm i operatorëve “Global TechnicalMechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k.. Sipas Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë kontrata u negociua dhe u dërgua për mendim në institucionet respektive, mendime këto të dakordësuara dhe të reflektuara në kontratën përfundimtare të nënshkruar, e cila u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave të kësaj të mërkure.

“Hyrja e saj në fuqi i hap rrugë ndërtimit të aeroportit të Kukësit. Kohëzgjatja e Kontratës se koncesionit është 35 vite. Kohëzgjatja e zbatimit të punimeve dhe afati i vënies në operim është 24 muaj, ndërsa vlera e rehabilitimit të Aeroportit të Kukësit është rreth 8 milionë”.

Ministrja Balluku bën të ditur se pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij Aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha Low Cost, ndër të cilat mund të përmendim WizzAir, Easy Jet, Ryan Air, Voeling, Pegasus etj.

Nga studimet paraprake parashikohet që ky aeroport të ketë një fluks lëvizjeje rreth 300 mijë pasagjerësh në vit, me rritje të ndjeshme në vitet pasuese.

Synimi është që përmes çmimeve të ulëta dhe shërbimeve cilësore, ky aeroport të shërbejë si pikë referimi në funksion të lëvizjes rajonale të udhëtarëve, veçanërisht atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia./abcnews.al