Konstituohet Komisioni Hetimor për çështjen “Tahiri”

schedule08:16 - 6 Mars, 2018

schedule 08:16 - 6 Mars, 2018

Është mbledhur për herë të parë Komisioni Hetimor i kërkuar nga demokratët për të hetuar veprimet ose mos veprimet e shtetit shqiptar kundrejt fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe ndikimit në çështjen “Tahiri” të lidhur me të. Edhe pse rendi i ditës përbëhej nga teknikalitete, deputetëve nuk i munguan debatet.

Mbledhjen e parë e nisën kështu.

Bashkim Fino: “E para s’ke pse na paragjykon sepse jemi të barabartë këtu. E dyta, dashamirësinë tuaj për ta bërë më shpejt nuk e mirëkuptojmë sepse duam kohë tamam që të shikojmë rregulloren. Edhe ju lutem herë tjetër mos bëni koment të komentit tim. Ju keni për detyrë të na dëgjoni.”.

Edi Paloka: “Zoti Fino, unë nuk jam këtu për të zbatuar porositë e tua. Nuk ma jep ti mua të drejtën e fjalës sepse e kam fituar në ’90-n, aq më tepër që këtu jam unë kryetar, nuk je ti”.

Të dy palët, shprehën interesin e përmbylljes së hetimit përpara afatit 6 mujor të paracaktuar për kontrollin e veprimtarisë shtetërore sa i përket fenomenit të kanabisit dhe çështjes së ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Pavarësisht ksaj, problemi u shfaq që tek përcaktimi i mbledhjes së radhës. Arsyeja e mazhorancës, mbingarkesa në punë.

Pjerin Ndreu: “Të hënën tjetër s’jemi disponibël. Bëni një plan me orare se kemi dhe angazhime të tjera. Vendos orar o zotëri se nuk jemi në zbor”.

Nuk jemi në zbor, këtij refreni alibi, Alibeaj kërkoi t’i dalë përpara përpara.

Enkelejd Alibeaj: “Ka përshtypjen se kjo do të jetë një këngë që do të këndohet më vonë. Të mos nxjerrim alibi që do të jemi në komisionet e tjera. Më mirë po i them të hidhurat që sot, që t’i shënojmë që tani”.

Komisioni, pritet të zhvillojë edhe seanca me dyer të mbyllura për shkak të dokumentave të klasifikuara, për të cilat deputetët duhet të marrin certifikatën e sigurisë dhe mbajnë përgjegjësi ligjore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!