Adoleshentja që sajoi marrjen e saj forcërisht, e kishte ideuar disa ditë më parë planin e ikjes nga shtëpia, në shenjë hakmarrjeje ndaj prindërve. Shoqja e ngushtë, tregon për ABC News hap pas hapi se, çfarë ka ndodhur dhe se si u stis rrëmbimi. Shkak ishte mosdhënia e lejes dhe parave për të shkuar te ditëlindja e shoqes së adoleshentes.
Loja e vajzës 13-vjeçare që mendoi të hakmerrej vetëm ndaj prindërve të saj, u përjetua në përmasa të frikshme në opinionin publik. Kishte ditë që e mitura kërkonte leje dhe para për të shkuar te ditëlindja e shoqes së saj të ngushtë, por kishte marrë refuzimin e prerë nga familjarët.
Për të mësuar më shumë, iu rikthyem edhe njëherë vendit nga ku u stis një grabitje në rrugën “Ndre Mjeda”. Pranë rrugës kryesore ndodhet banesa e të miturës. Të vetmit që duan të tregojnë se si ka ndodhur historia janë shokët dhe shoqet e 13-vjeçares.
Veprimi i të resë i ka lënë të gjithë pafjalë. Të bindur se bashkëmoshatarja e tyre nuk ka vepruar mirë, fëmijët tregojnë edhe kur folën në telefon me vajzën. Banorët janë të shokuar. Prania e kameras i bën të nervozë dhe komentet janë të pakta.
Gazetari i ABC News Andi Qosja kërkoi të kontaktonte më familjarët e vajzës së re. Por si përgjigje mori vetëm heshtjen.
Drejtoria e Policisë së Tiranës ka administruar dëshminë e vajzës së dhënë në prani të psikologes. E mitura i ka qëndruar deklarimit të saj se, gjithçka e ka bërë vetëm se ishte privuar nga pjesa tjetër e shoqërisë për të shkuar te ditëlindja e shoqes së saj të ngushtë. Ndërkohë dëshmi kanë dhënë edhe persona të tjerë, por që më pas janë lënë të lirë.
/ABC News Albania 24/7