Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë të shkëlqyera.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun turk, Hakan Fidan, Hasani u shpreh se mes dy vendeve ka një miqësi historike dhe solide.
Hasani deklaroi se investimet turke në Shqipëri kapin vlerën e 3.7 miliardë eurove. Ndër të tjera, kryediplomati shqiptar shprehu vlerësim për Turqinë, për njohjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Para se të jap më shumë detaje mbi ato çka biseduam, dëshiroj që në krye të herës t’i shpreh Ministrit Fidan, e përmes tij popullit e Qeverisë së Turqisë, mirënjohjen tonë për faktin që Turqia mike na është gjendur gjithmonë pranë në ditët tona më të vështira, si në rastin e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, gjatë pandemisë së Covid 19, si dhe gjatë krizës energjetike dhe furnizimit me grurë si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Aktualisht, marrëdhëniet mes vendeve tona në çdo fushë, qoftë për sa i përket dialogut politik, qoftë për sa i përket shkëmbimeve në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, por dhe patjetër edhe diplomacisë janë të shkëlqyera e kanë njohur vetëm rritje e konsolidim. Sot, ne zhvilluam takimin e dytë të Grupit për Dialog Politik, një mekanizëm i paraparë nga Deklarata e Partneritetit Strategjik, nënshkruar më 6 janar të vitit 2021 në Ankara. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në rrafshin dypalësh, rajonal e global.
Intensifikimi i dialogut politik mes nesh është shoqëruar me një rritje kuptimplotë të bashkëpunimit dypalësh duke e konkretizuar atë, me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh në fushën e teknologjisë, transportit, energjisë, mbrojtjes, shëndetësisë, turizmit, arsimit, mjedisit, kulturës dhe shumë fusha të tjera, ku lista është shumë e gjatë. Diskutuam konkretisht për bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe tregtare. Investimet turke arrijnë në rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në vendin tonë. Konstatuam se niveli shkëmbimit të vëllimit të tregtisë në kuotën e gati 760 milion euro, nuk pasqyron ndoshta, potencialin ekzistues midis dy vendeve, ndonëse klima e të bërit biznes në Shqipëri është tejet e favorshme. Jemi të vendosur që ky tregues të kalojë shifrën e 1 miliardë eurove.
Përshëndesim miratimin nga Parlamenti turk të marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Lejeve të Drejtimit dhe mirëpresim sa më parë hyrjen të saj në fuqi. Diskutuam padyshim për bashkëpunimin rajonal dhe për mundësitë e përmirësimit të tij bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirjes, të cilat garantojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin demokratik në Ballkan. Pas përfundimit me sukses të mandatit si anëtare jo e përhershme e KS të OKB, Shqipëria do vazhdojë angazhimin shumë palësh në disa mekanizma të OKB dhe në 4 nismave rajonale. Përmbushja me sukses e angazhimeve të marra sigurisht do të kërkojë dhe bashkëpunimin me Turqinë. Dua të vlerësoj në mënyrë të posaçme Turqinë për mbështetjen në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme rajonale dhe globale. Përshëndesim miratimin nga parlamenti turk të aderimit të Suedisë në NATO. Tashmë arkitektura e sigurisë evropiane bëhet gjithënjë dhe më e plotë”, theksoi ai./abcnews.al