Ministrja Xhaçka: Emergjencat civile, fushëbeteja e re e forcave të armatosura

schedule12:28 - 26 Korrik, 2018

schedule 12:28 - 26 Korrik, 2018

Pavarësisht situatës metereologjike, në një aktivitet të Ministrisë së Mbrojtjes të zhvilluar në bazën detare të kepit të Palit në Durrës, ministrja Olta Xhaçka dha mesazhin se forcat e armatosura të vendit janë në krye të detyrës me mjete të reja dhe personel të trajtuar për përballimin e çdo situate emergjente.

Të gatshëm për të vepruar edhe kur të gjithë të tjerët janë me pushime. Gatishmërinë e Forcave të Armatosura, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e shprehu gjatë ekspozimit të kapaciteteve për emergjencat civile në bazën detare të kepit të Palit në Durrës.

“Ne jemi gjithmonë në garë me kohën dhe nuk kemi alternativë tjetër, vetëm të dalim fitimtarë në këtë garë”.

Në front lufte janë shndërruar Emergjencat Civile për ministren Xhaçka, por të vetëm nuk mund t’ia dalin u shpreh ajo.

“Ne, të gjithë së bashku: Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të pushtetit, prefekturat dhe organet e qeverisjes vendore, por edhe qytetarët, duhet të bashkojmë forcat jo vetëm që të shmangim pasojat e EC, por edhe të parandalojmë shkaqet e ndodhjes së tyre”.

Por thirrja i drejtohet edhe atyre qytetarëve që abuzojnë me pronën publike. Një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha.

“Një cigare e hedhur në vend të papërshtatshëm, mund të kthehet në tragjedi, siç po ndodh me fqinjin tonë. Dua të lëshoj një apel për të gjithë, se çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo më keq akoma, me paramendim, do të marrë ndëshkimin e duhur nga organet përkatëse”.

Ministrja e Mbrojtjes siguron se janë marrë të gjitha masat dhe është koordinuar puna me qëllim që strukturat përkatëse të jenë në gatishmëri maksimale për të ndërhyrë në çdo moment, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!