Ministrja Gjonaj: Vënia në funksion e Gjykatës së Lartë prioritet emergjent

schedule17:15 - 11 Korrik, 2019

schedule 17:15 - 11 Korrik, 2019

Plan strategjik për sistemin gjyqësor, Gjonaj: S’ka asnjë forcë për t’i penguar institucionet e reja, debatet politike një ditë do harrohen kurse reforma në drejtësi i shërben brezave.

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë zhvilluar një takim konstruktiv ku është prezantuar projekt-plani strategjik 2019-2020 për sistemin gjyqësor i cili vjen si derivat dhe kërkesë në zbatim nga Strategjia ndërsektoriale e drejtësisë e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pasi është njohur nga kryetarja dhe anëtarët e grupit të punës lidhur me planin e veprimit, ministrja Etilda Gjonaj ka vënë theksin te rëndësia që ka kjo iniciativë në kuadër të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

Teksa ka falënderuar hartuesit e planit strategjik, Gjonaj ka bërë edhe një rezyme të zbatimit të reformës në drejtësi, ku nënvizoi se “procesi i ngritjes së organeve të reja tashmë janë në fazën ku s’ka më asnjë forcë për t’i penguar në ushtrimin e përgjegjësisë së tyre kushtetuese dhe ligjore”.

Gjithashtu ajo komentoi telegrafikisht edhe sulmet politike ku tha se:

Ata që mundën veç ta vonojnë, por kurrsesi ta ndalojë, uroj ta kenë kuptuar se dëshira dhe nevoja e një populli të tërë për drejtësi është aq e madhe sa s’mund të asgjësohet nga retorika politike të cilat në fund të ditës do të harrohen, ndërsa të nesërmes do t’i ngelen veç institucionet e shëndetshme të një shteti që po vrapon drejt familjes evropiane.”

Ndër të tjera Gjonaj shprehet:

“Me ftesë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndoqa me interes prezantimin e projekt-planit strategjik 2019-2020, për plotësimin dhe forcimin e sistemit gjyqësor në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë. Jam besimplotë se procesi i reformimit do ta kalojë periudhën transitore për të vijuar me funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë. Plotësimi i vendeve vakante dhe funksionimi i Gjykatës së lartë si pjesë edhe e planit strategjik të KLGJ-së do të jetë një ndër prioritetet Këshillit të Lartë Gjyqësor. Shqiptarët tashmë janë dëshmitarë të historisë, se si mundëm të hedhim themelet dhe nisëm të rindërtojmë këtë pallat drejtësi që po ngjall shpresën për të ndryshuar, ashtu siç na ka shtuar forcën për të punuar. Ata që mundën veç ta vonojnë, por kurrsesi ta ndalojë, uroj ta kenë kuptuar se dëshira dhe nevoja e një populli të tërë për drejtësi është aq e madhe sa s’mund të asgjësohet nga retorika politike të cilat në fund të ditës do të harrohen, ndërsa të nesërmes do t’i ngelen veç institucionet e shëndetshme të një shteti që po vrapon drejt familjes evropiane”, shprehet Gjonaj.

Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë dhe Plani Strategjik i KLGJ-së, janë të ndërlidhura me përparësitë e politikave kombëtare, ku ndër të tjera synohet:

  • Përshpejtimi i Reformës së Pushtetit Gjyqësor dhe Akordimit të Burimeve. (Bërja funksionale e Gjykatës së Lartë si prioritet emergjent, duke marrë masat e nevojshme për plotësimin e vendeve vakante në një kohe sa më të shpejtë)
  • Përcaktimi dhe Zbatimi i Standardeve për Ekselencë gjyqësore. ( Rritja e transparencës në emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, përmes sigurimit të standardeve të meritokracisë)
  • Ofrimi Efikas i Shërbimeve dhe funksionimi më i mirë i gjykatave. (Rritja e efikasitetit, saktësisë se te dhënave dhe efektivitetit ne menaxhimin e ceshtjeve gjyqesore nepermjet zhvillimit te nje sistemi elektronik te unifikuar per menaxhimin e ceshtjeve sipas standardeve ndërkombetare.)
  • Zhvillimi i Kapaciteteve të Brendshme të KLGJ-së.( Hartimi i akteve nënligjore për zbatimin e reformës gjyqësore, ushtrimin e përgjegjësive nga ana e KLGJ-së me qellim sigurimin e pavarësisë gjyqësore)
  • Hartimi i Strategjive të Efektshme për Komunikimin e Jashtëm. ( Ofrimi dhe zbatimi i mënyrave novatore dhe të përshtatshme për palët e interesit, në veçanti përmes sistemeve online, për rritjen e bashkëpunimit të publikut me KLGJ-në, personelin administrativ dhe gjykatat).

Në vitin  2016, Shqipëria miratoi reforma kushtetuese dhe legjislative gjithëpërfshirëse, me qëllim forcimin e integritetit dhe qeverisjes së gjyqësorit në vend. Këto reforma përcaktonin edhe ngritjen e institucioneve të reja, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!