Nga fshatrat e thella të Librazhdit, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, i bëri thirrje pushtetit vendor që të kryejë sa më parë një skanim të të gjitha zonave që rrezikojnë të izolohen gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Kjo, sipas saj, do të ndihmonte Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, që t’u paraprijnë problemeve.
Izolimi është një nga problemet më të mëdha me të cilën përballen rreth 700 banorë të fshatit Spatharë, pak kilometra larg Librazhdit, gjatë muajve më të ftohtë të dimrit. Me ndihmën e batalionit të Xhenios, të paktën këtë shqetësim ua kanë zgjidhur Forcat e Armatosura, me ndërtimin e një ure të re 30 metra të gjatë.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, pasi inspektoi punimet e përfunduara, kërkoi nga pushteti vendor që të kryejë një skanim të të gjitha zonave të thella, për t’i paraprirë problemeve që mund të shfaqen.
Xhaçka shoqërohej nga numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh deputet i qarkut të Elbasanit, i cili vlerësoi reformën që kalon menaxhimin e Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shtetit nën Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjatë qëndrimit në Qarkun e Elbasanit, ministrja e Mbrojtjes u ndal edhe në Gramsh, ku Forcat e Armatosura kanë nisur fushatën e rekrutimeve. Ajo theksoi se karriera ushtarake sot ofron më shumë garanci se kurrë, si dhe mundësi studimi jashtë vendi, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë./abcnews.al
https://youtu.be/5TktPZmmRug