Vendet e Europës Juglindore janë pjesë e Europës në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor, shprehet Karin Kneissl, ministrja e Jashtme austriake në prag të takimit me homologët e saj të BE-së në Vjenë.
Ministrja e Jashtme e Austrisë Karin Kneissl ka kërkuar më shumë angazhim të vendeve të BE-së për antarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. “Ne nuk duhet të lejojmë, që prej mungesës së angazhimit të BE-së të tjerë aktorë të futen në këtë vakuum të krijuar”, është shprehur Kneissl për gazetën “Die Welt” në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të enjten (30.08) në Vjenë.
“Një perspektivë e qartë europiane është garanci për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik”, thotë Kneissl. Vendet e Europës Juglindore janë pjesë e Europës në kuptimin politik, ekonomik dhe kultutror. “Pavarësisht mirëkuptimit lidhur me ngurrimin e disa vendeve anëtare, duhet të mbizotërojë interesi gjeopolitik për një afrim të shpejtë në BE.”
Të mërkurën (29.08) ministrat e mbrojtjes të BE-së u takuan në Vjenë. Në mbëmje në program ishin konsultimet për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me vendet kandidate për antarësim në BE. Këto konsultime vazhdojnë edhe të enjten.
E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Federica Mogherini flet të enjten për të ardhmen e misionit të marinës së BE-së “Sophia”. Qeveria italiane kërkon, që refugjatët e shpëtuar në Mesdhe para brigjeve të Libisë të mos dërgohen automatikisht në Itali. Ministrat e jashtëm trajtojnë edhe situatën në Siri, në Jemen, Libi dhe në Iran.
Duke iu referuar luftës civile në Siri, lidhur me të cilën kosnultohen gjithashtu në Vjenë ministrat ejashtëm të BE-së, Kneissl tha: “Lufta në Siri po i afrohet fundit. Por atje nuk do të ketë ndonjë armëpushim të madh.” Tani është i nevojshëm një “veprim i mençur dhe me maturi” gjatë rindërtimit të vendit. “Në këtë proces duhet të mbahet në konsideratë gjendja në tërësi, edhe sa i përket kthimit të shpejtë të të dëbuarve në vendet fqinje.”/DW