Ministria e Jashtme e Kosovës reagon ashpër ndaj arrestimit të një qytetari në Serbi

schedule18:42 - 23 Tetor, 2020

schedule 18:42 - 23 Tetor, 2020

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar ashpër, pas arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe. Policia serbe këtë të premte ka vënë në pranga shtetasin, Agim Gjocaj gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë.

Në reagimin e saj ministrja Hasadinaj-Stublla ka thënë se kërkon lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt, i cili po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), dënon ashpër arrestimin e shtetasit Kosovar, Agim Gjocaj, nga Serbia. Gjocaj u arrestua në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë. MPJD kërkon nga Serbia lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt, i cili po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj. Po ashtu, theksojmë se akuzat e pretenduara ndaj tyre janë të pabaza, të qëllimshme dhe të motivuara politikisht”, shkruan Haradinaj-Stublla.

Në lidhje me këto ngjarje ministrja ka bërë thirrje Brukselit dhe shteteve të Grupit Quint, që të adresojnë këtë shqetësim tek autoritetet në Beograd, që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, të ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë.

Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Ëashingtonit për Normalizim Ekonomik. Politika e vjetër e Serbisë me në krye Vuçiqin, vazhdon të sillet në shpërputhje me të gjitha vlerat evropiane ku aspirojnë dhe në kundërshtim me deklaratat që bëjnë përpara faktorit ndërkombëtar për kinse ‘angazhim e gatishmëri’ drejt procesit të normalizimit të plotë me Kosovën dhe fqinjësi të mirë në rajon. Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste”, thuhet në reagim.

Haradinaj-Stublla shton se duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!