Ministria e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të masave të ndërmarra nga Qeveria për situatën e krijuar nga Covid -19, bëjnë me dije se po bashkëpunojnë me Shoqatën e Bankave për shpërndarjen e pensioneve për ata që nuk mund ta tërheqin dot në bankë.
Ndër të tjera ministria përmes një njoftimi për mediat ka bërë me dije se me shqetësimin e krijuar ditët e fundit për pamundësinë e daljes së pensionistëve për të tërhequr pensionin pranë këtyre bankave, MFE është dakortësuar me Shoqatën e Bankave, që këto të fundit të gjejnë mundësinë për t’jua dërguar në shtëpi pensionin atyre që nuk shkojnë dot në bankë.
Shërbimi do të kryhet nga strukturat e bankave dhe pa kosto shtesë për pensionistët. Janë të lutur të gjithë ata pensionistë që nuk kanë mundur të tërheqin pranë bankës pensionin e tyre të komunikojne direkt me bankat, të cilat do të ndërmarrin menjëherë masat përkatëse për dërgimin e tyre pranë banesës.
Është thelbësore të theksojmë për të gjithë pensionistët që me durim të presin zgjidhjen e kësaj situate. Gjatë këtyre ditëve ka vijuar normalisht shpërndarja e pensioneve nëpërmjet Postës Shqiptare.
Ritheksojmë se çdo institucion qendror apo lokal është në dispozicion dhe shërbim të këtij komuniteti për çdo lloj nevoje./abncews.al